Lajme

Liderët kosovarë kujtojnë të vrarët e masakrës së Studimes në Vushtrri


“Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkim falja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Miloseviçit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht”.

Kështu, është shprehur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook.

Sipas Osmanit, dëshmitë flasin për masakër “të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe”.

Ajo ka theksuar se nga 116 të vrarët, shumë prej tyre janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi, “me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë kurse në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe”.

Sipas saj, mbajtja gjallë e kujtimit për viktimat, dëshmon historinë e dhimbshme të popullit kosovarë por po ashtu, ritheksohet edhe përkushtimi i të gjithëve që të mos ndalet kërkimi i drejtësisë për këto viktima derisa sa ajo të vihet në vend.

Me rastin e 22 vjetorit të kësaj masakre, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas homazheve në fshatin e Studimes, ka thënë se “kjo masakër është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin e Kosovës, gjë që tregon se qëllimi i qartë ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës”.

Sipas tij, tash e 22 vjet “ende nuk është vënë drejtësi” për të gjithë të rënët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai po ashtu, ka theksuar se paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët, as gratë e as pleqtë.

“Shumicën i dëbuan prej Kosovës, një pjesë të madhe i vranë dhe i masakruan për të shkaktuar tmerr mbi popullin e Kosovës, në fund që të serbizohej Kosova dhe që të spastrohej etnikisht”, u shpreh Konjufca para mediave.

Përveç Konjufcës, i pranishëm në homazhe ishte edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Sipas Tahirit, meqë ende askush nuk është dënuar për këtë gjenocid, “familjarët janë të gatshëm të dëshmojnë, pasi që i njohin kriminelët të cilët e kanë kryer këtë akt kriminal”.

Ai tutje ka theksuar se është shumë e rëndësishme që proceset gjyqësore dhe drejtësia të shkojë në vend.

Ndërkaq, edhe sipas kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ky krim ende ka mbetur i pandëshkuar.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “përpos që nuk është vendosur drejtësia, i tmerrshëm është tentimi për mohimin e krimit makabër”.

Haradinaj tutje ka shtuar se 22 vjet më parë, në Studime të Vushtrrisë, policia serbe nxorën nga kolona qindra njerëz që kishin marrë rrugën drejt Shqipërisë.

“Ata nuk kursyen as te miturit e as gjyshërit. Ata ishin barbarët që na mbajtën nën okupim për disa dekada”, është shprehur ai.

Masakra e Studimes është një ndër masakrat më të mëdha ndaj civilëve shqiptarë.

Në dy majin e vitit 1999, paramilitarët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë këtu edhe një nënë shtatzënë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore