Lajme

Libi/ Parlamenti mbështet qeverinë e unitetit


Parlamenti i Libisë, i ndarë për një kohë të gjatë, të mërkurën ka votuar për të mbështetur një qeveri uniteti.

Ky vendim vjen pas një procesi të gjatë për paqe të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Miratimi i parlamentit për kabinetin e kryeministrit Abdulhamid Dbeibeh, me 132 vota pro dhe dy kundër, përfaqëson mundësinë më të madhe për të zgjidhur konfliktin e Libisë.

“Kjo, një ditë historike për Dhomën e Përfaqësuesve”, deklaroi kryetari Aguila Saleh në fund të votimit.

Dbeibeh, i cili u zgjodh në janar për bisedimet e sponsorizuara nga OKB-ja në Gjenevë, javën e kaluar i paraqiti Saleh-it kabinetin e tij.

Qeveria kalimtare do të drejtojë vendin përmes zgjedhjeve, të planifikuara për më 24 dhjetor, sipas një plani të ndërmjetësuar nga OKB-ja.

Propozimi i Dbeibeh-s

Kabineti i propozuar nga Dbeibeh përfshin 33 ministra dhe dy zëvendëskryeministra, për të cilët tha se janë përfaqësues të zonave të ndryshme gjeografike dhe segmenteve shoqërore të Libisë.

Mënyra e emërimit të vet Dbeibeh dhe madhësia e gjerë e kabinetit të tij kanë tërhequr kritika në Libi, me akuza për korrupsion dhe shitje të ndikimit, që kundërshtarët mund të përdorin për të mohuar legjitimitetin e tij.

Libia e pasur me naftë, pas një kryengritjeje të mbështetur nga NATO-ja në 2011, ku u rrëzua dhe u vra sundimtari i vjetër Muammar Gaddafi, u zhyt në kaos.

Vendi është ndarë midis dy qeverive rivale, një në Lindje dhe një tjetër në Perëndim, secila e mbështetur nga një grup i madh milicish, si dhe fuqish të huaja.

“Mbajtja e zgjedhjeve të lira parlamentare dhe presidenciale në rrethana të tilla në 2021 do të jetë një sfidë e madhe, megjithëse të gjitha palët janë zotuar zyrtarisht ta bëjnë këtë”, shprehen mediat lokale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore