Lajme

Liberalizmi i vizave për Kosovën i sjell përfitime edhe BE-së, thotë Borrell


Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka quajtur “vendim historik” liberalizmin e vizave për Kosovën, derisa ka shtuar hyrja në fuqi e këtij vendimi, përveç Kosovës, përfitime i sjell edhe Bashkimit Evropian.

“Hyn në fuqi një vendim historik i BE-së. Qytetarët e Kosovës nga sot mund të udhëtojnë në BE pa viza. Kjo sjell përfitime të rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për BE-në. I gjithë Ballkani Perëndimor tashmë është i lidhur me zonën Shengen përmes liberalizimit të vizave”, ka shkruar ai në platformën X.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, kanë mbajtur një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të liberalizimit të vizave.

Kurti, në fjalimin e tij ka deklaruar se mbrëmë pas orës 00:00, ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave duke thënë se “është hequr një padrejtësi që i është bërë Kosovës”.

“Kjo ditë është e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”, tha Kurti.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi para gazetarëve për pritjet që janë bërë nga qytetarët deri tani para ambasadave.

“Sa kohë është humbur edhe në mërgatë duke siguruar ftesa. E dini se sa para janë shpenzuar për dokumente dhe procedura. E dini se sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në rrugë”, ka thënë Gërrvala.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore