Shqipëria

Lezhë: Arrestohen tre personat që u përleshën në ambientin e një karburanti


Autoritetet kanë zbardhur detaje të reja nga konflikti i ndodhur ditën e djeshme në Lezhë në ambientin e një karburanti.

Policia e Shtetit ka vënë në pranga të tre personat e përfshirë në incidentin e 5 gushtit.

Autoritetet kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: M. M. 37 vjeç, banues në Kosovë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”, N. S. 61 vjeç dhe K. R. 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale ” Plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim”.

Arrestimi i tyre u bë në vijim të veprimeve të thelluara hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas Policisë, rreth orës 18:30 të së shtunës, në ambientet e një karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, shtetasi kosovar M. M. pas një konflikti të çastit për motive të dobëta që ka patur me dy shtetasit shqiptarë N. S. dhe K. R. (punonjës pranë këtij karburanti), i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që t’i përplasë duke u rrezikuar jetën.

Si pasojë e tentativa me automjet, shtetasi M. M. është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar.

Në vijim të konfliktit, dy punonjësit e karburantit e kanë goditur shtetasin M. M. me mjete të forta në trup (shkopinj) duke i shkaktuar dëmtime fizike, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Në spital për ndihmë mjekësore, ndodhet edhe shtetasi N. S. i cili ka marrë gjithashtu dëmtime fizike, por jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore