Shqipëria

Leskaj vijon të jetë në detyrë, akuzat për grabitje janë “spekulime”


“Shkëlqim Leskaj vijon të qëndrojë në detyrë, si administrator i Ujësjellës Kanalizime Vlorë (UKV), brenda të gjitha tagrave që i atribuohen sipas legjislacionit në fuqi”.

Kështu e ka sqaruar kreu i kësaj Shoqërie, debatin e së hënës mbrëma me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

Përmes një njoftimi për media, UKV-ja ka zbardhur konfliktin që coi në komisariatin e Policisë së Vlorës dy kryetarët e vendit.

Sipas njoftimit, gjatë një mbledhje të organizuar në zyrën e kreut të Shoqërisë,  mes administratorit të Ujësjellës Leskaj dhe kryetarit të Bashkisë Leli ka pasur disa mosmarrëveshje.

“Nuk ka asnjë ndërprerje të veprimtarisë së Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë”, kanë sqaruar përmes postimit në median sociale Facebook.

Edhe paraditen e 21 shtatorit, kreu i Shoqërisë, zhvilloi normalisht mbledhjen e mëngjesit, duke ndarë edhe detyrat përkatëse për të gjithë Sektorët e Ndërmarrjes.

Leskaj vijon të jetë i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimeve (QKR), si subjekt i legjitimuar në cilësinë e Administratorit të Shoqërisë.

Gjithashtu, “nuk ka pasur asnjë ‘grabitje’ nga titullari sa i përket vulave dhe librave të protokolleve sikundër pretendohet”.

“Ato qëndrojnë sipas legjislacionit në selinë e Shoqërisë”.

Ndërsa për akuzat e ngritura ditët e fundit në adresë të Leskajt, sqarohen se “janë spekulime”.

Kjo “me qëllim dashakeqës për të prishur imazhin e kreut të kësaj Shoqërie”, dhe “për të përbaltur të gjithë aktivitetin dhe energjitë e harxhuara prej tij gjatë gjithë kësaj detyre”.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, bashkë me kreun e ujësjellësit të Vlorës, Shkëlqim Leskaj, mbrëmjen e 20 shtatorit janë thirrur në komisariatin e policisë.

Sipas burimeve zyrtare për Albanian Post (AP), kryebashkiaku Leli bashkë me kreun e ujësjellësit, kanë pasur një zënkë mes njëri tjetrit.

Zënka është përkeqësuar dhe për pasojë, Leli dhe Leskaj janë shoqëruar për në komisariat.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore