Lajme

Lëshohet për qarkullim rruga në Graçanicë, përfundon ceremonia e Vidovdanit


Policia e Kosovës, ka bërë të ditur, se ka liruar për qarkullim rrugën kryesore në qytetin e Graçanicës pasi qytetarët serbë të cilët të mërkurën festuan Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan, janë shpërndarë.

“Rruga në Graçanicë është liruar”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Vidovdani i cili zakonisht festohej në Gazimestan – dhjetë kilometra larg Prishtinës – këtë vit është mbajtur në Graçanicë kjo pas vendimit të peshkopit, Teodosije Shibaliç.

Dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka vendosur për ndryshim lokacioni me arsyetimin e “situatës aktuale të sigurisë”.

Serbët filluan grumbullimin që nga ora 7:00 e mëngjesit të pranishëm në manastirin e Graçanicës janë edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it e Policisë së Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë festë ishte edhe Danilo Vuçiç, djali i presidentit serb Aleksandar Vuçiç,

Një ditë më parë Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë për festën e Kurban Bajramit dhe Vidovdanit, ndërsa ka publikuar një varg masash që këto festa të shënohen pa incidente.

Policia ka njoftuar se një nga masat është edhe mbyllja e hyrje daljeve në qytetin e Graçanicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore