Shqipëria

Leksionet online ulin cilësinë akademike


“Nuk mund të flas mbi efektshmërinë e kalimit online, por mungesa e kontaktit me studentët ka krijuar vështirësi në tejçimin e informacionit tek ta”.

Kështu është shprehur pedagogia e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Dr. Migena Buka, për situatën që është krijuar nga kalimi i leksioneve online, për shkak të pandemisë.

“Mungon shumë auditori. Mungon sinergjia e krijuar me studentët”, thotë Buka për Albanian Post. “Kemi ruajtur një cilësi, por jo plotësisht”.

Shqetësimi kryesor sipas saj, është se nuk ka kontakt direkt me studentët. “Nëse më parë hidhja një batutë për të shtensionuar situatën, sot e kam të pamundur”, deklaroi ajo. “Shumica mbajnë kamerat mbyllur. Më duket shpesh sikur flas me veten”.

Qenia online lidhet drejtpërdrejtë edhe me një stepje të studentëve për të pyetur. “Ka pasur raste kur ata donin të pyesnin dhe ka ndodhur ndonjë problem teknik. Kanë hezitim të pyesin që të mos ndërpresin ligjërimin tim”, shtoi ajo.

Përsa i përket kalimit të informacionit tek studentët, pedagogia theksoi se mund të ketë mangësi, por është bërë gjithçka e mundur për të mos lënë vend për mungesa njohurishë.

“Ka disa lëndë që duan patjetër kontakt. Nuk mund të realizohen thjeshtë virtualisht. Kjo kohë na ka shërbyer të kuptojmë sa i rëndësishëm është auditori.”

Vetë studentët, janë shprehur shpesh se kanë nevojë të kenë kontakt me lektorët. Vetë pedagogia Buka, tha se “të gjithë presin rikthimin në sallat e fakulteteve”.

Me rëndësi është të shihet edhe zhvillimi i provimeve. Sezoni i tyre pritet të nisë në fund të shkurtit. Ministria e Arsimit, ende nuk e ka bërë të qartë mënyrën si do të zhvillohen ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore