Lajme

Lekajt s’i kujtohet a ka hedhur gazlotsjellës Konjufca


Pal Lekaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, të mërkurën ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Themelorë në Prishtinë ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës, vite më parë.

Lekaj gjatë dëshmisë ka thënë se atij nuk i kujtohet që Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.

“Nuk më kujtohet”, ka pohuar ai.

Deputetit të AAK-së nuk i është kujtuar as çështja se a është ndërprerë mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Nuk më kujtohet që është ndërprerë, nuk mbaj mend se është ndërprerë ndonjë mbledhje e Kryesisë”, ka shtuar ai.

Lekaj dëshminë e tij do të duhej të jepte më 8 shkurt, por kjo seancë ishte anuluar me arsyetimin se Konjufca ishte angazhuar me punë atë ditë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt të vitit 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkonte me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, në Kuvendin e Kosovës në cilësinë e deputetit ka hedhur gazë lotsjellës.

Ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Konjufca, gjithashtu po akuzohet se gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Për dy këto akuza, Konjufca ishte deklaruar si i pafajshëm.

“Për këtë që më akuzoni ndjehem plotësisht i pafajshëm”, ishte deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore