Lajme

“Lego” do të ndërtojë një fabrikë prej 1 miliard dollarësh në Vietnam


Kompania e famshme “Lego” ka njoftuar planet për të ndërtuar një fabrikë të re prodhimi në Vietnam, pas rritjes së kërkesës për produktet e saj në territorin e Azisë.

Gjiganti i prodhimit të lodrave tha se do të investojë më shumë se 1 miliard dollarë (760 milionë funte) në projekt, i cili do të jetë pranë qendrës kryesore të biznesit të vendit, Ho Chi Minh City.

Kjo do të jetë fabrika e dytë e kompanisë daneze në Azi, pasi para pesë vjetësh kishte hapur një fabrikë në Kinë.

Firma ka siguruar rritje dyshifrore në rajon që nga viti 2019, shkruan BBC.

“Lego”.

“Ne i jemi shumë mirënjohës qeverisë vietnameze për mbështetjen e treguar, për të ndërtuar fabrikën tonë të parë neutrale të karbonit”, deklaroi shefi i operacioneve të “Lego”-s, Carsten Rasmussen.

Ndërtimi në kantier do të fillojë vitin e ardhshëm, me plane për të përshtatur konsumin e tij të energjisë me panele diellore në çatinë e tij dhe në një fermë aty pranë.

Prodhimi në fabrikë pritet të fillojë në vitin 2024 dhe i njëjti pritet të krijojë deri në 4 mijë vende pune gjatë 15 viteve të ardhshme.

Ky është zhvillimi më i fundit në strategjinë dhjetëvjeçare të “Lego-s” për ndërtimin e impianteve të prodhimit pranë tregjeve kyçe dhe vjen pasi kompanitë në mbarë botën janë përballur me probleme globale të zinxhirit të furnizimit gjatë pandemisë së coronavirus-it.

“Lego”

“Kjo siguron fleksibilitetin për t’iu përgjigjur shpejt ndryshimeve në kërkesën e konsumatorëve vendas, shkurton zinxhirin e furnizimit dhe zvogëlon ndikimin mjedisor të transportit në distanca të gjata”, thuhet në një deklaratë të kompanisë.

Edhe pse kompania theksoi se vendimi i saj për të ndërtuar fabrikën në Vietnam nuk ishte përshpejtuar nga ndërprerjet e fundit, disa ekspertë kanë thënë se mund të jetë një mësim për kompanitë e tjera që përpiqen t’i çojnë produktet e tyre te klientët.

“Lego”

“Ajo që ata po bëjnë është ajo që ne duhet të kishim bërë shumë, shumë kohë më parë, që është mbrojtja e basteve tona. Nëse shihni kërkesën që vjen nga një drejtim i caktuar, duhet të keni alternativa”, thotë Paula Rosenblum, e cila punon menaxhere në “RSR Research”.

Megjithatë, dy vitet e fundit kanë qenë sfiduese për disa kompani internacionale me objekte prodhuese në Vietnam.

Prodhimi në disa nga fabrikat më të mëdha të “Nike” në vend u ndërpre pasi COVID-19 u përhap nëpër fabrika.

Disa ekspertë të logjistikës mendojnë se vështirësitë, me të cilat ballafaqohet Vietnami në muajt e fundit, mund ta ndihmojnë atë të përballet me sfida të ngjashme në të ardhmen.

“Vietnam ka mësuar shumë për sa i përket balancimit të rrezikut të shpërthimeve të COVID-19 dhe ruajtjes së kapacitetit të prodhimit gjatë valës së fundit”, tha Megan Benger në konsulencën “TMX”.

“Besojmë se këto mësime ka të ngjarë ta mbajnë vendin në vend të mirë në rast të shpërthimeve të ardhshme”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore