Shqipëria

Le Monde: Shqipëria, streha e papritur e elitës afgane


Një burrë afgan mban një fëmijë në një vendpushim i cili strehohet nga refugjatët afganë në Golem, 45 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Shqipërisë, të premten, 27 Gusht 2021

E përditshmja franceze “Le Monde”, i ka dedikuar një artikull Shqipërisë dhe mikpritjes së qindra afganëve deri më tani.

“Le Monde” shkruan fillimisht se këta afganë që kanë mbërritur në tokën shqiptare janë inxhinierë, mjekë, gazetarë, mësues ose studentë të diplomuar. Shumica prej tyre, anglisht-folës.

“Elita afgane është këtu në Shqipëri, e mbledhur në qytetin bregdetar të Shëngjinit, në bregdetin Adriatik pranë Malit të Zi, ku nxehtësia e verës ende nuk është zbehur”, nënvizon e përditshmja franceze.

Qytetarët e evakuuar nga Afganistani mbërrijnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Shqipëri, të premten, 27 Gusht 2021

Në po të njëjtën linjë me të përditshmen amerikane “The New York Times”, “Le Monde” rrëfen se si afganët u gjendën papritmas nga lufta në një hotel me pesë yje.

Ata nuk dinin asgjë për Shqipërinë, vendin ku janë akomoduar pas arratisjes nga regjimi taleban.

Tirana zyrtare ka premtuar të mirëpresë deri në 4 mijë refugjatë për një periudhë kalimtare nga “dymbëdhjetë deri në katërmbëdhjetë muaj”.

Kjo, derisa procedurat për hyrjen në Shtetet e Bashkuara të jenë zgjidhur.

Një familje afgane mblidhet në një vendpushim i cili strehohet nga refugjatët afganë në Golem, 45 kilometra në perëndim të kryeqytetit Tiranë, të premten, 27 gusht 2021
Situatë e përsëritur

“Le Monde” ravijëzon fjalën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili i kujtoi të gjithëve se tridhjetë vjet më parë shqiptarët ishin afganët që u nisën drejt brigjeve italiane.

Më 19 gusht, kryeministri postoi dy imazhe në Twitter, njëra që tregonte qindra afganë në një aeroplan ushtarak amerikan në aeroportin e Kabul-it, ndërsa në foton tjetër – mijëra shqiptarë që po shkonin drejt Italisë në vitin 1991.

Deri më tani, shkruan më tej “Le Monde”, vetëm 700 refugjatë afganë kanë arritur të arrijnë në Shqipëri për shkak të ndalimit të evakuimeve.

“Në Shqipëri, një vend i vogël ballkanik me më pak se 3 milionë banorë, ku paga mesatare mujore nuk i kalon 460 euro, zgjedhja për t’i mirëpritur ata nuk është e hapur për debat, përfshirë në radhët e opozitës”, thekson e përditshmja franceze.

Sipas drejtorit të “Observatorit Ballkanik” në Fondacionin Jean Jaures, Sebastien Gricourt, shqiptarët i detyrohen gjithçka Shteteve të Bashkuara.

Që nga integrimi i tyre në organet ndërkombëtare, tregon ai për “Le Monde”, përfshirë NATO-n – në vitin 2009 – deri në stabilizimin e tyre, përfshirë projektet kryesore të energjisë.

Për specialistin e Ballkanit, Toby Vogel, autoritetet shqiptare e marrin rolin e tyre në NATO shumë seriozisht dhe mirëpritja e disa prej refugjatëve është një politikë e zgjuar, sepse “ata nuk kanë shumë për t’u ofruar vendeve të mëdha”.

“Të frustruar nga bllokimi i anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ‘vendet më proamerikane në botë’, po kërkojnë më shumë se kurrë të favorizojnë Washingtonin”, shprehet për “Le Monde” eksperti i Ballkanit.

Dëshmitë rrethanore

Në Shëngjin gjejmë Latifën, rrëfen “Le Monde”, një vajzë 15-vjeçare dhe miqtë e saj.

Të gjithë së bashku, teksa shijojnë një kalli misri të pjekur në skarë – e ofruar spontanisht nga një turist shqiptar.

“Fizikisht jam këtu, por mendërisht kam mbetur atje”, pëshpërit Linda Mohammedi.

26-vjeçarja, e diplomuar në bujqësi dhe gjenetikë, fshiu gjithçka në celularin e saj, profilin e saj në Facebook, llogarinë e saj në Instagram, nga frika se talebanët do t’i gjenin.

Najib, 39-vjeçari, me doktoraturë në Universitetin e Michigan-it, mbërriti drejtpërdrejt në Shqipëri nga Kabul-i me gruan dhe tre fëmijët e vegjël. I varur nga qafa, më i riu, 5 vjeç, nuk e lëshon për asnjë moment.

Qytetarët e evakuuar nga Afganistani mbërrijnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Shqipëri, të premten, 27 Gusht 2021.

“Tri herë kam qenë në Shtetet e Bashkuara dhe tri herë jam kthyer për të jetuar dhe punuar në Afganistan”, psherëtin ai.

Faisal Karimi është mësuesi në gazetari në Universitetin e Herat-it, që ka intervistuar më tej “Le Monde”.

“Talebanët na urrejnë. Mora mesazhe kërcënuese, pastaj fqinjët më thanë se kishin ardhur në zyrë dhe po më kërkonin”, rrëfen Karimi për të përditshmen franceze.

Më 7 shtator, në Shqipëri, ai mësoi se kushërira e tij fotografe, Morteza Samadi, ishte arrestuar nga talebanët ndërsa mbulonte një protestë të grave.

“Në zyrën e tij të veshur me letër muri që ai vetë ka projektuar, Edi Rama dëshiron të jetë realist”, shkruan “Le Monde”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i ofron një dhuratë një djali gjatë vizitës së tij në një vendpushim i cili strehohet nga refugjatët afganë në Golem

Sipas kryeministrit Rama derisa afganët të arrijnë në Shtetet e Bashkuara, do të duhet të gjejnë zgjidhje për edukimin e fëmijëve.

Që nga viti 2014, përmbyll “Le Monde”, me kërkesë të Washington-it, Shqipëria ka mirëpritur 3 mijë muxhahedinë iranianë, të cilët mbërritën pas tërheqjes së forcave amerikane nga Iraku, si dhe pesë ujgurë që u larguan nga Guantanamo në vitin 2006.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore