Lajme

LDK: VV po vazhdon kapjen e bordeve e institucioneve të pavarura


Universiteti i Prishtinës

Partia në pushtet, Vetëvendosje, po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura, reagon Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi publik në faqen zyrtare të partisë në Facebook.

“Me qëllim të shtrirjes së ndikimit dhe të kontrollit në institucione, partia në pushtet po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura. Dje në Universitetin e Prishtinës (UP), nën ndikimin e partisë në pushtet, u zgjodhën anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së nga radhët e trupit akademik”.

Sipas një njoftimi për medie, një ditë më parë në Universitetin e Prishtinës janë zgjedhur anëtarët e Këshillit Drejtues nën ndikimin e LVV.

“Përzgjedhja në masë të madhe dëshmoi se anëtarët u përzgjodhën me kriter partiak-klientelist, dhe jo akademik, me disbalanc total gjinor, duke mos e respektuar as Ligji për Barazi Gjinore”.

“Këtë ndikim partia në pushtet e ka bërë përmes ushtrimit të presionit ndaj senatorëve dhe organizatave studentore të afërta me partinë në pushtet, të cilit i ka ndihmuar një interpretim kundërthënës që u ka marrë mandatin senatorëve nga radhët e studentëve, për çfarë kishte pakënaqësi dhe protestë para Rektoratit të UP-së”, thuhet në njoftim të LDK-së.

LDK bëri thirrje që të ndalet polizitimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

“Të përkujtojmë se Këshilli Drejtues i UP-së është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Prishtinës, që mbikëqyr punën e Rektorit dhe funksionimin e Universitetit edhe në rrafsh buxhetor. Qeveria e Republikës së Kosovës ka rol në punët e menaxhimit të UP-së përmes anëtarëve që i cakton MASHT-i në Këshillin Drejtues. Por, jo duke përcaktuar direkt anëtarët nga trupi akademik”.

“Efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional. Kjo është parë me ndërhyrjen e një qeverie të kaluar në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës që rezultoi me përjashtimin e saj prej organizmave relevante evropianë për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon respektim të autonomisë së Universitetit dhe përjashtim të ndikimit partiak në UP”, përfundon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore