Lajme

LDK: Qasja e LVV-së kundër anëtarëve të KPM-së ngjasonte me komitetet e Enver Hoxhës


Ilustrim

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ndërsa ka komentuar kërkesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për realizimin e një dëgjimi mbikëqyrës ndaj Këshillit të Pavarur për Media në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka thënë se veprimet e pushtetit “më shumë se ndërhyrje politike, janë veprime diktatoriale”.

“Gjuha e qasja e deputetëve të partisë në pushtet drejtuar anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave i ngjasonte komiteteve të Enver Hoxhës. E gjithë kjo dramë ndodhë si për ironi, në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Halimi në platformën sociale, Facebook.

Mbledhje e Komisionit për KPM-në, sipas Halimit, është alarm që duhet të zgjojë vetëdijen e të gjithëve për tendencën e rrezikshme të partisë në pushtet

“Deri në fund të mandatit të Qeverisë së Kosovës, rezultati i vetëm i arritshëm do të jetë, kapja e të gjitha institucioneve të pavarura. E fatkeqësisht askujt nuk po i bëhet vonë, se si ky vend është duke rrëshqit komplet drejt një diktature, pasojat e së cilës ende s’i kemi ballafaquar e do t’i shohim më vonë, kur edhe mendimi do të jetë i kontrolluar”.

LVV kërkon shkarkimin e Bordit të KPM-së

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, të premten, është kërkuar shkarkimi i bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët janë anëtarë të këtij Komisioni kanë votuar që bordi i KPM-së të shkarkohet, meqë sipas tyre, ky institucion i pavarur ka marrë një vendim skandaloz duke rikthyer kanalet sportive të “Arena Sport” në transmetim.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, zhvillimet brenda komisionit parlamentar i ka cilësuar si presion nga ana e partisë në pushtet.

“Diskursi ka vetëm një emër dhe mbiemër. Presion politik. Po e keqpërdorim misionin tonë thelbësor për t’i mbrojtur institucionet e pavarura kushtetuese”, është shprehur Tahiri.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë se ka pasur kërkesa nga qytetarët që të lejohen programet sportive serbe “Arena Sport” për transmetim.

Mehmeti ka theksuar se janë garantuar nga rrjeti televiziv serb se më nuk do të shfaqen përmbajtje kërcënuese për Republikën e Kosovës.

Vitin e kaluar në kanalet sportive serbe “Arena Sport” ishin shfaqur mesazhe kërcënuese për Kosovën ku ishin glorifikuar terroristët e vrarë në Banjë nga ana e Policisë së Kosovës.

Për këtë arsye KPM kishte vendosur për ndalimin transmetimit të këtyre kanaleve në Kosovë.

Në anën tjetër Deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku, ka përmendur ndaljen e transmetimit gjatë fjalës së kryeministrit Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“E patë dje çka ndodhi, një ngjarje e madhe kryeministri i vendit në Këshillin e Sigurimit dul IPKO e bllokoi. Foli Vuçiçi nuk pat diçka deri e përfundoi, filloi kryeministri i Kosovës e ndalën rrjetin. Edhe Serbia po ashtu”.

Për këtë qasje të pushtetit në raport me një institucion të pavarur ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shoqëria civile në Kosovë.

LVV akuzohet për “ndërhyrje të frikshme politike” në KPM

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore