Lajme

LVV akuzohet për “ndërhyrje të frikshme politike” në KPM


Flutura Kusari

Si ndërhyrje të frikshme politike në pavarësinë e Këshillit të Pavarur për Media e ka cilësuar, juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, kërkesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për realizimin e një dëgjimi mbikëqyrës të KPM-së në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, të premten.

“Pavarësia e një institucioni kushtetues nënkupton që anëtarët i marrin vendimet sipas bindjeve dhe profesionalizmit të tyre, jo sipas tekeve të deputetëve”.

Thirrja me urgjencë e anëtarëve të KPM-së, sipas Kusarit, që t’i japin shpjegime deputetëve është njëjtë sikur deputetët t’i ftojnë gjykatësit t’i shpjegojnë vendimet e tyre në Kuvend.

“I përgëzoj anëtarët e KPM-së për prezantimin profesional, për argumentimin fantastik ligjor dhe për ruajtjen e profesionalizmit derisa u sulmonin pa bazë dhe ashpër nga ana e deputetëve për konsum të votueseve”.

Deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët janë anëtarë të këtij Komisioni kanë votuar që bordi i KPM-së të shkarkohet, meqë sipas tyre, ky institucion i pavarur ka marrë një vendim skandaloz duke rikthyer kanalet sportive të “Arena Sport” në transmetim.

E sipas Kusarit një kërkesë e tillë është tronditëse.

Përveç Flutura Kusarit, për këtë çështje ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me disa organizata të tjerë të shoqërisë civile, të cilët kanë dënuar ashpër “sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Sipas AGK-së dhe shoqërisë civile, deputetët e LVV-së kanë ushtruar presion publik të paprecedentë ndaj anëtarëve të KPM-së, që siç thonë ata, është në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare dhe se mbledhja e thirrur nuk ka pasur paraprakisht një agjendë të caktuar se çfarë do të diskutohej.

“Në mbledhjen që zgjati rreth katër orë, deputetët e LVV-së në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për KPM, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që promovojnë pavarësinë institucionale të mekanizmave të tillë, ushtruan presion publik të paprecedent ndaj anëtarëve të KPM-së lidhur me miratimin e vendimeve që hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij institucioni të pavarur kushtetues”.

Sipas tyre, mbledhja e sotme e Komisionit ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike nga VV-ja në pavarësinë e KPM-së.

“Dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë se ka pasur kërkesa nga qytetarët që të lejohen programet sportive serbe “Arena Sport” për transmetim.

Mehmeti ka theksuar se janë garantuar nga rrjeti televiziv serb se më nuk do të shfaqen përmbajtje kërcënuese për Republikën e Kosovës.

Vitin e kaluar në kanalet sportive serbe “Arena Sport” ishin shfaqur mesazhe kërcënuese për Kosovën ku ishin glorifikuar terroristët e vrarë në Banjë nga ana e Policisë së Kosovës.

Për këtë arsye KPM kishte vendosur për ndalimin transmetimit të këtyre kanaleve në Kosovë.

Në anën tjetër Deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku, ka përmendur ndaljen e transmetimit gjatë fjalës së kryeministrit Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“E patë dje çka ndodhi, një ngjarje e madhe kryeministri i vendit në Këshillin e Sigurimit dul IPKO e bllokoi. Foli Vuçiçi nuk pat diçka deri e përfundoi, filloi kryeministri i Kosovës e ndalën rrjetin. Edhe Serbia po ashtu”.

LVV kërkon shkarkimin e Bordit të KPM-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore