Lajme

LDK: Komunikimi me një person në listë të zezë të SHBA-ve, cenon rëndë sigurinë e Kosovës


Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi janë publikuar përgjime për takime dhe koordinime që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radojiçiç, për disa nga çështjet politike në Kosovë.

“Koordinimi i aktiviteteve politike në vend, sikurse dhe komunikimi me një person me urdhërarrest e në listë të zezë të SHBA-ve, cenon rëndë sigurinë e Republikës së Kosovës’, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, tashmë “kanë rënë maskat dhe perdja e populzimit”.

“Përgjimet e publikuara sot në mediat kosovare, shpërfaqin sheshazi hipokrizinë e thellë të pushtetit populist. Kjo hipokrizi, tashmë standard veprues i partisë në pushtet, që në njërën anë kontakton, koordinon e bashkëvepron me njerëz të lidhur me krimin, e në anën tjetër akuzon të tjerët për një gjë të tillë, shpërfaq gjendjen alarmante të politikëbërjes në vend”.

Për gjendjen e rëndë “të politikëbërjes në Kosovë”, LDK -ja shpreh shqetësimin më të thellë.

Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ajo nuk ka pasur asnjëherë komunikim direkt dhe nuk është takuar me Milan Radojiçiçin, kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

”Unë personalisht asnjëherë në jetë nuk e kam takuar. Unë nuk mund t’ia ndalojë Sllavko Simiç-it ta thërret Radojeçiç-in. Ai ka lëshuar në interfon që ta dëgjojë për pakënaqësitë që ai i kishte me gjërat që ndodhnin në terren”, tha ajo në Klan Kosova.

Por, ajo thotë se diskutimi ka qenë në gjuhën shqipe dhe është folur për çështjen e vendosjes së institucioneve të Kosovës në Veri.

“Çka mund të konfirmojë është që kam qenë prezentë në këto dy-tre minuta që dëgjohen aty që Simiç ka biseduar me Radojeçiç-in në zyrën time”, shtoi ajo.

Kusari-Lila mohon të ketë pasur kontakte me Radojiçiçin: S’e kam numrin e tij – përpjekje për të njollosur pushtetin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore