Lajme

Kusari-Lila mohon të ketë pasur kontakte me Radojiçiçin: S’e kam numrin e tij – përpjekje për të njollosur pushtetin


Mimoza Kusari

“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojiçiçin”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke u përgjigjur për publikimin e përgjimit ku ajo dëgjohet tek koordinohet me antarin e Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – Slavko Simiç.

Në atë përgjim, flitet për takime dhe koordinime që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radojiçiç, për disa nga çështjet politike në Kosovë.

“Për mua kontakt në Kuvendin e Kosovës kanë qenë dy përfaqësues, shefi i deputetëve Igor Simiç dhe Slavko Simiç”, ka thënë përçartazi Kusari-Lila edhe pse në përgjim dëgjohet duke e konfirmuar se ka pasur bisedë me kriminelin e kërkuar nga organet e rendit për rreth “2-3 minuta”.

Kusari-Lila ka thënë se kontakti me ish-deputetin serb ka qenë në suaza të normales dhe se është biseduar për votimin e tri projektligjeve: Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare dhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, ndërsa ka mohuar të ketë pasur kontakt me dikë tjetër nga Lista Serbe.

“Komunikimi ka qenë tërësisht në bazë të komunikimit brenda kuvendit, brenda seancës për agjenda. Kanë qenë tri agjenda vazhdimisht që e kanë përcjellë këtë komunikim: Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare dhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale”, ka thënë ndër të tjera Kusari-Lila.

Kjo ishte vetëm pjesa e parë e publikimit të përgjimit nga mediumi “Nacionale”, kurse pjesët e tjera të përgjimeve, të cilat thuhet se lidhin edhe të tjerë akterë qeveritarë dhe koordinimin e tyre me Listën Serbe, janë paralajmëruar që të publikohen ditëve në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore