Lajme

Laschet merr votëbesimin për kandidaturën si kancelar


Kreu i Unionit Kristian-Demokrat (CDU) në Gjermani, Armin Laschet, ka marrë mbështetjen e 77.5% të bordit ekzekutiv të partisë, në një garë për kandidaturën si kancelar.

Përballë tij, kreu i partisë simotër, Unionit Kristian-Social (CSU), Markus Söder, arriti të bindë vetëm 22.5% të bordit.

Të dy kandidatët, i kishin lënë rrugë të hapur për kandidim njëri-tjetrit. Në një konventë të përbashkët midis dy partive, ishte Laschet-i që mori vulën përfundimtare për garim.

Kancelarja në detyrë, Angela Merkel, nuk është përfshirë aspak në proces. Ajo ka preferuar të mos i shprehë preferencat e saj mbi një kandidat. Kjo, në mënyrë për të garantuar një proces tërësisht demokratik.

Në zgjedhjet e 26 shtatorit, pas 16 vjetësh, CDU-ja do të hyjë në zgjedhje me një kandidat të ri.

Kreu i CSU-së, gëzonte një pritje më të mirë në opinionin publik. Gjithsesi, tradita e dyshes CDU-CSU, nuk ndryshoi rrjedhë. Zakonisht, kandidatura për kancelar vjen nga partia mëmë, CDU-ja.

60-vjeçari Laschet, u zgjodh në krye të partisë në janar të vitit 2021.

Söder nuk ka dalë ende për të pranuar humbjen, pas një votimi të vonë gjatë natës. Gjithsesi, përpara fillimit të procesit, ai tha se “do të pranonte çdo vendim të dalë nga konventa.

Tashmë pritet të shihet nëse Laschet-i, do të mund të pasojë Merkelin në Kancelarinë gjermane.

Politikat e tij, mund të shfaqin interes, mbi të gjitha për relatat që mund të krijohen me Rusinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore