Aplikacione

Largohet shefi i komunikimit në kompaninë mëmë të Facebook-ut


John Pinette, shefi i komunikimit në kompaninë mëmë të Facebook-ut, Meta Platforms Inc, po largohet nga kompania.

Njoftimin e ka bërë të ditur vetë kompania e mediave sociale të premten e vonë të 7 janarit.

Një zëdhënës i Meta-s ka treguar për agjencinë “Reuters” se do të jetë Chris Norton, nënkryetari i komunikimeve ndërkombëtare, ai që do të mbulojë rolin përkohësisht.

“Pinette është larguar nga Meta. I jemi mirënjohës për kontributin e tij pozitiv gjatë një periudhe intensive dhe domethënëse në historinë e kompanisë dhe i urojmë suksese në vazhdim”, është thënë në deklaratën e kompanisë.

Nha ana tjetër, zëdhënësi nuk ka pranuar të tregojë mbi arsyen e largimit të Pinette, duke rikujtuar politikën e Meta-s për të mos komentuar çështjet e personelit.

Pinette u emërua si nënkryetar i komunikimeve globale në prill të vitit 2019, referuar faqes zyrtare të kompanisë.

Përpara se t’i bashkohej kompanisë, Pinette ka drejtuar komunikimet për Gates Ventures, zyrën private dhe laboratorin e inovacionit të Bill Gates, për pesë vjet.

Ai ka qenë edhe kreu i komunikimeve në Azi për Google-in. Gjithashtu ka mbajtur një sërë pozicionesh drejtuese të produktit dhe komunikimit të korporatës në kompaninë Microsoft.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore