Lajme

Largimi i serbëve nga institucionet rrezikon kthimin e strukturave paralele


Foto: Albanian Post.

Largimi i punonjësve serbë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe nga Gjykata Themelore e Mitrovicës do të vështirësoj punën në sistemin e drejtësisë dhe rrezikon ta kthejë sistemin paralel në Veri.

Nga asnjëri institucion nuk ka ndonjë vendim sa i përket zgjidhjes së rasteve të cilat janë trajtuar nga gjykatësit paraprak që tashmë janë tërhequr.

Vendim s’ka as për zëvendësimin e gjyqtarëve.

Albanian Post, ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore të Mitrovicës lidhur me problemet që mund të ballafaqohet ky institucion, por që nga të njëjtit është thënë se akoma nuk ka diçka konkrete.

“Ende nuk është vendosur lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e shkurt të gjykatës.

Një pjesë e stafit të gjykatës, duke u larguar nga ndërtesa pas dorëzimit të dorëheqjeve.

Numri i rasteve nën monitorimin e gjyqtarëve serbë mund të kthehet nga fillimi

Numri i të gjitha lendeve të cilat kanë qenë në kompetenca të punonjësve serbë, mund të kthehen nga fillimi.

Avokati Yll Zekaj, në një bisedë për Albanian Post thotë se për shkak të largimit të tyre edhe seancat gjyqësore janë shtyrë.

“Kemi rrezik që të gjitha rastet që kanë qenë në kompetencë të gjyqtarëve serbë, këto raste të kthehen nga fillimi. Në krime të rënda, kemi pasur shumë gjyqtarë serbë edhe shumë seanca tashmë monitoruese janë konfirmuar që janë shtyrë dhe kjo tash i kthen të gjitha rastet nga fillimi”, thotë Zekaj për AP.

Ai sqaron se KGJK dhe KPK janë në pritje të dorëheqjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, pritet ta konfirmojnë dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve e më këtë rast nëse të njëjtat pranohen dhe dërgohen për dekret tek presidentja. Atëherë, më këta gjyqtarë nuk mundet të vazhdoj funksioni gjyqësor dhe prokurorial por duhet që konkursit t’i nënshtrohen nga fillimi”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Funksionimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në institucionet në Veri është i paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Prandaj sipas Zekaj, “në këtë rast duhet që Këshilli gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial të mos i trajtoj këto dorëheqje deri në gjetjen e një zgjidhje politike me qëllim që të mbes në funksion marrëveshja e 2013”.

“Në rast se jo, atëherë do ta kemi kthimin në gjendjen kur kanë funksionuar dy sisteme paralele, sistemi serb me ligje të Serbisë dhe sistemi ligjor i Kosovës”.

Sa i përket afatit kohor që KGJK dhe KPK duhet t’i trajtojë këto dorëheqje, ai thotë se nuk ka një afat të caktuar.

“Nuk ka një afat të përcaktuar kohor që Këshilli Gjyqësor duhet t’i trajtoj këto dorëheqje, nëse merret afati mesatarisht 60 ditë për çdo kërkesë, atëherë mund të fokusohemi tek ky afat 60 ditorë. Por nuk ka një afat që është i përcaktuar me ligj brenda të cilit duhet të shqyrtohet një dorëheqje e një gjykatësi apo një prokurori”.

Sundimi i ligjit nuk duhet të zëvendësohet me asnjë koncesion

Eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë për Albanian Post, pas dorëheqjes së gjykatësve dhe prokurorëve konsideron se funksionimi i institucioneve të drejtësisë në Mitrovicë, do të shkaktoj probleme.

“Heqja e kudrave të serbëve lokal nën dirigjimin dhe presionin e Beogradit dhe presionin e Listës Serbe, ka shkaktuar dhe shkakton sigurisht vakum dhe kokëçarje në funksionimin edhe të institucioneve të drejtësi me segmentin që ka të bëjë dhe popullatën të këtij komuniteti”, deklaron Baraliu për AP.

Ai bën thirrje për një zgjidhje sa më të shpejt.

Ndërsa, kërkon nga përfaqësuesit për një zgjidhje politike në mënyrë që procesi të mos neglizhohet.

“Do të duhej që përfaqësuesit tonë të gjejnë një zgjidhje politike dhe të mos lejojnë që të zvarritet ky proces. Sundimi i ligjit nuk duhet të zëvendësohet me asnjë koncesion dhe kjo është politike”.

Mitrovica e Veriut.

Edhe gjyqtarët serbë largohen nga institucionet e Kosovës

Më 7 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Pas largimit, gjyqtari i Apelit në Prishtinë, Nikola Kabasiç, kishte thënë për mediat se më nuk kthehet në detyrë.

“Po e bëjë atë që e kam paralajmëruar para dy ditësh. Gjykatësit që dje nuk arritën t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e kanë bërë përmes email-eve. Kolegët tanë shqiptarë dhe punonjësit e administratës qëndrojnë në punë dhe i gjithë stafi administrativ serb dhe gjyqtarët kanë dhënë dorëheqje”.

Ai ka shtuar se pjesa tjetër ju takon politikanëve.

“Tani po presim për mënyrën se si do t’ia bëjmë me lëndët që i kemi pasur dhe me pajisjet që i kemi huazuar nga zyrat. Jam duke folur për vetën, nuk do të kthehem. Pjesën tjetër ua lë politikanëve”, ka thënë gjyqtari Kabasiç.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç u shpreh se lëndët që i kishin zyrtarët serbë, janë bartur te kolegët e tyre shqiptarë.

“Dje thashë gjithçka që kisha, dhe për sa i përket organizimit të punës, u morëm vesh me kolegët gjatë gjithë mëngjesit dhe bëmë një plan të mirë që të mos humbasim asnjë afat, që gjithçka të jetë në përputhje. Duhet te jete”.

“Kolegët tanë shqiptarë kanë marrë përsipër lëndët tona, lëndë që janë të natyrës urgjente dhe mendoj se për momentin kanë problem të madh se si ta organizojnë të gjitha”, tha ajo.

Ndryshe, largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës në veri.

Serbët lokalë janë duke kundërshtuar planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Beogradi, që ushtron kontroll mbi ta, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por institucionet e Kosovës  nuk heqin dorë nga vendimi i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore