Shqipëria

Lali Eri, na thuaj çfarë do, kjo që bën është pa shije


Të jesh kryetar i propagandës!

Shumë politikanë janë akuzuar ndër vite në Shqipëri për këtë, e mbi të gjitha kryeministri Edi Rama, i cili në nisje të mandatit të parë qeverisës, si me shaka, akuzohej se “të dilte përpara edhe kur hap frigoriferin”.

Këtë lloj të vërtete publike, ai e reflektoi në një dalje më të pakët mediatike, me qëllim moskrijimin rrjedhimor të një overflux-i në publik dhe ia arriti, duke vijuar të jetë politikani më i pëlqyer në vend prej dekadash.

Vetë overflux-i terminologjikisht, është një koncept që lidhet me teprinë, por në trajtat e një ekzuberance të pashoqe, me trajta vetëpëlqimi, të cilën dikush e reflekton në një audiencë të caktuar.

Në hapat e mentorit (ato të këqijat) është tashmë edhe një tjetër figurë politike, Erion Veliaj, i cili nuk të del vetëm kudo në media orar pa orar, por zë vend duke ndërprerë edhe ngjarje të tjera më të rëndësishme.

Këtë gjë, pa përmendur, nuk ia lë as vetë Rama, i cili shpesh gjatë fushatës hedh batuta mbi prozhektorët që “Lalit” i duhen, për të mbjellë pemë.

Së fundmi, si për të ulur pak libidon e njerëzve që e shohin, por për të rritur të tijin, ka nisur edhe një fushatë “vipash”, të cilët i tregojnë qytetarëve pse duhet të votojnë “Lalin”.

E prisnim që Noizy të ishte ndër ta, parë edhe derdhjen prej 50 milionë lekësh që Bashkia ka bërë për koncertin e tij Alpha në sheshin Nënë Tereza, ku mori edhe lekët e mbledhura nga biletat, sponsorë, vëmendje, pa dhënë asgjë.

Në të njëjtën karrexhatë e shtron edhe artistja me famë botërore, Rita Ora, kur thotë se vota i jepet vetëm “Lalit”. I bashkohet asaj nga Italia edhe Ermal Meta.

Madje Veliaj ka arritur të “kthejë” edhe demokratët gjatë kësaj fushate, duke bashkuar në ekip Andi Lilën.

Ermal Mamaqi, i shtangu të gjithë, kur në harkun 15-vjeçar, nga një çunak që i kërkonte Edi Ramës t’i kthente qytetin e tij në fushatën e të ndjerit Sokol Olldashi, u kthye në “sipërmarrësin Mamaq”, i cili s’e ka parë kurrë Tiranën kaq të mirë e të bukur për të jetuar, ndaj edhe vetë ka zgjedhur rrethinat e saj për familjen.

Mirëpo, me kthesën që ka bërë performuesja Çiljeta, është e kotë të flitet më tej, pasi vetë ajo e përmend në një takim elektoral: Me Lalin, kur u kthye edhe gjyshja ime 80 vjeçe, mos ngeltë demokrat pa u kthyer.

Veliaj ndërkohë, si për të fshehur haptazi rritjen e libidos, i përcjell atyre batuta të tilla si: Hajde me Lalin tat, faleminderit lal, apo ndonjë “faleminderit miku im” për mbështetësin Florian Marku, i cili Tiranën e sheh vetëm për ndonjë ndeshje boksi apo marrje medaljeje.

Poshtë publikimeve në mediat sociale ndërkaq, çuditërisht komentet e njerëzve shfaqen vetëm pozitive, me asnjë fjalë të vetme të keqe të thënë për “Lalin”, si një demokraci e vërtetë.

Faktin ndërkohë nuk e fsheh Veliaj, se është shumë i lumtur që Bashkia Tiranë, e mbajtur me taksat e rreth 900 mijë banorëve që jetojnë këtu, është financuesja kryesore në karrierën e tyre, disa prej të cilëve muzikantë “wannabe” e të tjerë, artistë me fame ndërkombëtare, të cilët me përfshirje në këtë fushatë, duan të kthehen në “wannabe” të diçkaje tjetër.

E pranon publikisht këtë në një emision televiziv, ballë për ballë me një gazetare, në një “setup” të ngjashëm me një kafene, aty ku rivali i tij direkt, Belind Këlliçi, qe përballur vetëm një ditë më parë, me gazetaren të çuar në këmbë dhe dy gazetarë të tjerë përballë.

Për ta mbyllur ku nisi, Noizy tregon edhe se si kishte turp më parë të sillte miqtë në Tiranë, derisa erdhi “Lali Eri” në bashki.

Po ky i përshkruar sipër, çfarë është?!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore