Lajme

Lajçaku falënderon Finlandën për mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi


Miroslav Lajçak dhe Elina Valtonen

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka falënderuar Finlandën për mbështetjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy fqnjëve, por edhe për mbështetjen e përpjekjeve të ripërtërira të bashkësisë ndërkombëtare për përshpejtimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane.

Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, ka njoftuar për diskutimet që ka pasur me Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, në Bruksel, kryerisht rreth procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën kujdesin e BE-së dhe perspektivën evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“E përshëndes mundësinë për të diskutuar mbi dialogun dhe shtytjen e ripërtërirë për ta bërë realitet perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor me Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen. Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës”, ka shkruar diplomati sllovak në llogarinë e tij.

Megjithatë, përkundër se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në fund të shkurtit në Bruksel e më pas në mes të marsit në Ohër, diplomatët evropianë deri më tani nuk ka arritur të gjejnë rrugën për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore