Lajme

Lajçak të hënën do ta takojë Vuçiçin në Beograd


I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe njëkohësisht për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të hënën do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Beograd.

Kjo u bë e ditur nga faqja e presidentit të Serbisë ku thuhet se takimi do të mbahet nga ora 12:30 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Vuçiç-it.

Ndërsa më 22 janar, Lajçak, është takuar me Dobrica Veselinoviç, një nga liderët e partisë opozitare Fronti i të Majtëve të Gjelbër, pjesë e koalicionit opozitar “Serbia Kundër Dhunës” që në zgjedhjet e fundit në Serbi doli grupi i dytë politik me 23.66 për qind të votave.

Por, rezultat ky që koalicioni (SPN) nuk e pranon, pasi konteston fitoren e Partisë Progresiste të Serbisë, udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, që doli e para me 46.75 për qind të votës së përgjithshme elektorale.

Kjo është ndër herët e rralla që Lajçak takohet me një lider opozitar serb për të diskutuar rreth dialogut me Kosovën dhe normalizimin e raporteve.

“Takim me përfaqësues të partisë opozitare serbe Fronti i të Majtëve të Gjelbër për një bisedë të sinqertë rreth dialogut dhe normalizimit të raporteve me Kosovën”, pati shkruar Lajçak.

Ai shtoi se “gjithashtu, kemi folur për zgjedhjet në Serbi, çka pas tyre dhe zhvillimet e fundit në Serbi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore