Lajme

Lajçak: Neni 7 s’përfshin zotime të reja për Kosovën, Asociacioni sipas Marrëveshjes së vitit 2013


Miroslav Lajçak

Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kështu të paktën ka deklaruar i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një intervistë – të parën prej se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

Një nga pikat më problematike për Kosovën ka qenë neni shtatë i Marrëveshjes, i cili përcakton aranzhimet specifike, “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Pala kosovare dhe ajo serbe dhanë interpretime të ndryshme për nenin në fjalë, për të cilin shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se duhet të nis së zbatuari menjëherë.

Megjithatë, sipas diplomatit sllovak, neni 7 nuk përfshinë zotime të reja për Kosovën.

“Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin për themelimin e një lloj Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”, ka thënë Lajçak.

Pra, Neni 7 sipas Lajçak’ut nënkupton krijimin e Asociacionit.

“Unë nuk insistoj tek emri. Unë insistoj në atë që iu shërben të dyja palëve. Por, kjo është shumë e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen plotësisht. Pra, ne nuk mund të zgjedhim marrëveshjen që na pëlqen; cilën ta zbatojmë e cilën ta injorojmë, sepse procesi serioz do të shndërrohej në tallje”.

Ai pranoi se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta.

Por, ai tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

“Nuk është sekret që ne, si lehtësues [të dialogut], kemi përgatitur fillimisht një aneks më të detajuar të zbatimit. Me një sekuencë hapash, me afate të qarta kohore, do të ishte më e lehtë të matej. Megjithatë, pas disa orësh negociata, palët kanë arritur të bien dakord për 12 nga 18 pikat. Ka qenë e pamundur të tejkalohen dallimet për gjashtë pikat e mbetura. Kemi provuar shumë, shumë mënyra për t’i kapërcyer ato dallime, por ka qenë e qartë se nuk do të funksionojnë”.

Lajçak paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë së shpejti, për të filluar, siç tha, punën për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes.

“Si hap të ardhshëm në dialog, do t’i ftoj kryenegociatorët në Bruksel dhe do t’i diskutojmë hapat për zbatimin [e Marrëveshjes], për t’u siguruar se kemi një pajtim se si të vazhdojmë me zbatimin. Kjo është shumë e rëndësishme”.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Në këtë pikë, Lajçak ka bërë të qartë se BE-ja ka propozuar që dokumenti të nënshkruhet, por për shkak të refuzimit të Vuçiç’it, me arsyetimin e kufizimeve kushtetuese, në fund është vendosur që ky dokument të formalizohet përmes njoftimit të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

“Kjo është plotësisht në përputhje me praktikën juridike ndërkombëtare. Pra, kjo do të thotë se ky dokument është i detyrueshëm, është zyrtar, është formal. Çdo spekulim se është apo jo i vlefshëm dhe i detyrueshëm, është i pakuptimtë”, ka qartësuar Lajçak.

Lajçak është pyetur edhe për Nenin 4 të Marrëveshjes ku nga Serbia kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, nen ky i cili ka lënë shumë hapësirë për keqkuptime dhe interpretime të ndryshme, pasi aty nuk përmendet ndonjë organizatë ndërkombëtare në mënyrë specifike.

Sipas Vuçiç’it ky nen nënkupton njohjen indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Por, për Lajçak, anëtarësimi në OKB në këtë fazë është problem më i madh sesa raportet Kosovë-Serbi.

“Sigurisht, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në OKB, njerëzit duhet të mendojnë edhe për procedurat, lidhur me rolin e Këshillit të Sigurimit, lidhur me rolin e pesë anëtarëve të përhershëm dhe është e nevojshme të investohet edhe në atë marrëdhënie. Prandaj, besimi që kjo varet vetëm nga Kosova dhe Serbia do të thotë se nuk kuptohet kompleksiteti i procesit. Në të njëjtën kohë, marrëveshja jonë përcakton se çfarë duhet të bëjë Kosova dhe Serbia. Palët janë zotuar se do të zbatojnë ose respektojnë të gjitha nenet e kësaj marrëveshjeje dhe të aneksit të saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore