Kosova

Lajçak mund të largohet nga pozita e ndërmjetësit – por, çfarë do të thotë kjo për vetë dialogun


Ilustrim

Në Sllovaki i ka fituar zgjedhjet një politikan pro-rus dhe diplomati i njohur për shqiptarët në Kosovë, Miroslav Lajçak, mund të rikthehet si Ministër i Jashtëm i kësaj qeverie, por largimi i Lajçak-ut nga posti i të deleguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi nuk do të thotë që formati i negociatave apo qasja e Unionit në raport me bisedimet në Bruksel do të pësojnë ndryshime të mëdha.

Për analistin politik, Petrit Zogaj, largimi i diplomatit sllovak nga pozita e ndërmjetësit të bisedimeve assesi nuk mund të përkthehet në një ndryshim fondamental të BE-së se si ajo në një skenar të tillë do ta shihte procesin.

“Lajçak edhe mund të largohet nga pozita aktuale që ka dhe të bëhet ministër i jashtëm sllovak, por e shoh problematike ndryshimin rrënjësor të qasjes së BE-së në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë ai për Albanian Post.

Kësisoj Zogaj beson se liderët aktualë kosovarë duhet të de-personalizojnë në përgjithësi qasjen e tyre në politikë dhe të merren më shumë me kornizat mbi të cilat një politikë e caktuar vepron.

“Në këtë kuptim, duhet parë dhe dialogu i Brukselit, i cili po vazhdon tash e mbi një dekadë”.

Ai e shpalos si tejet problematik “demonizimin” e Lajçakut nga ana e autoriteteve kosovare meqë ky i fundit, sipas Qeverisë së Kosovës, është “pozicionuar” kundër interesave të Kosovës e në favor të politikës së Serbisë.

“Ka qenë dhe është e dëmshme në kuptimin diplomatik qe u bë një fushatë e tillë ndaj një ndërmjetësuesi, i cili mbi të gjitha ka ndjekur një kornizë politike që BE-ja ia ka ngarkuar. Ta zëmë që Lajçak do të bëhet ministër i jashtëm, dhe Kosova do të ketë një kundërshtar më shumë brenda shtetit sllovak, pikërisht nga fakti që Kosova ka organizuar një fushate të pa mençur ndaj tij”, argumenton më tej ai.

Ndërsa si mjaft paradoksale, Zogaj, e cilëson faktin se si Qeveria e Kosovës, gjegjësisht kryeministri, Albin Kurti, në njërën anë e quan si të mirë e të favorshme për Kosovën Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e cila u përpilua nga vetë Lajçak e shefi i tij, Josep Borrell, e në anën tjetër amplifikon ankesa nga më të ndryshmet për anshmërinë e tyre.

“BE si një strukture politike e 27 vendeve anëtare, që nga viti 2011 ka ngarkuar komisionerë e përfaqësues specialë për të ndërmjetësuar dialogun Kosove-Serbi. Në vitet e para, kemi pasur komisionerë që vinin nga shtetet që e kanë njohur Kosovën si vend të pavarur si rasti i Catherine Ashton e Federica Mogehrini, dhe së fundmi kemi Borrell dhe Lajcak që vijnë nga vendet që nuk e njohin Kosovën si vend të pavarur”, shpjegon ai.

Petrit Zogaj dhe Abit Hoxha

“Marrëveshjet që janë arritur gjatë mandatit të Ashton e Mogehrinit në mes Kosovës dhe Serbisë janë kundërshtuar ashpër nga opozita e atëhershme në Kosovë. Janë quajtur si marrëveshje të dëmshme dhe që e kanë cunguar sovranitetin e Kosovës. Ndërkohe që, dy marrëveshjet që janë arritur në këtë vit, ajo e 27 Shkurtit dhe 18 marsit, pra, gjatë mandatit të Borrell e Lajçak, të paktën nga qeveria aktuale janë quajtur si marrëveshje të favorshme për Kosovën”, shton ai.

Ndryshe nga Zogaj, Abit Hoxha, ligjëruesi në Universitetin Adger, beson se zëvendësimi i Lajçak-ut – nëse ai braktisë postin e tij për një post tjetër – me një diplomat i cili vije nga kampi i shteteve të cilët e njohin pavarësinë e Kosovës mund të ndikojë në ndryshimin e rrjedhave të bisedimeve.

“Qasja në raport me dialogun mbetet neutrale gjithsesi, por mund të vërehen ndryshime”, thotë Hoxha për AP.

Fakti qe Lajçak mund të shkojë në një përbërje të tillë të një kabineti pro-ruse në Sllovaki, sipas Hoxhës, tregon qartazi orientimin politik të Lajçak-ut, në rend të parë.

Kësisoj një gjë e tillë në rend të dytë shpërfaqë, sipas tij edhe verbërinë e BE-së në kontekstin e pritshmërisë nga Lajçak-u për sukses me dialogun-Kosovë Serbi.

“Vetë lajmi për fitoren e kandidatit pro-rus në Sllovaki është lajm i keq për Kosovën, por lajmi se Lajçak mund të ikë për të lëshuar postin e të deleguarit të posaçëm të BE-së për Kosovën ka një kuptim tepër të rëndësishëm në leximin e situatës në BE”, argumenton ai.

Hoxha sugjeron që autoritetet kosovare të mos e marrin me entuziazëm largimin eventual të diplomatit sllovak nga posti i ndërmjetësit meqë ata duhet të fokusohen në faktin se kush do ta zëvendësojë atë.

“Nuk shkon larg mendsh që të emërtohet dikush që do të na detyrojë të themi se po na mungon Lajçaku- i cili emërtim varet nga Borrelli”.

Politikani pro-rus fiton zgjedhjet dhe Lajçak mund të bëhet ministër i jashtëm i tij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore