Kosova

Lajçak: Me Kurtin e Bislimin biseduam për dialogun dhe energjinë


Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimin, ka thënë se me këta të fundit ka biseduar për lirinë e lëvizjes, energjinë dhe dialogun.

“Shfrytëzova rastin për të diskutuar çështje aktuale edhe me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, në veçanti lirinë e lëvizjes dhe energjisë”, ka shkruar në Twitter Lajçak.

Ai ka theksuar se ka vazhduar bisedën e javës së kaluar me kryeministrin Kurti në rrugën përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërsa Qeveria ka njoftuar se gjatë takimit u bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, po ashtu gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”.

Lajçak, pas takimit me Kurtin në një prononcim të shkurt për media ka bërë të ditur se temë diskutimi kanë pasur vazhdimin e dialogut.

“Me Kurtin kemi diskutuar vazhdimin e dialogut, e po ashtu edhe për përgatitjet e takimit të radhës”, deklaroi ai.

I pyetur nëse do të takohet me presidentin e Serbisë në një takim të paparalajmëruar siç bëri me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ai mohoi një gjë të tillë.

“Menjëherë pas këtij takimi do të marrë rrugën e kthimit për në Bruksel, por javën tjetër do takohem me presidentin serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në New York”, tha Lajçak.

Ndërkaq, për kornizën e re të kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, ai ka thënë se është habitur kur ka dëgjuar për një propozim të tillë.

“Ne jemi këtu për ta dërguar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe takimi i radhës mund të mbahet në shtator nuk jam akoma shumë i sigurt”.

Albanian Post tashmë e posedon të plotë dokumentin disafaqësh dhe të gjitha pikat që propozojnë zgjidhjen finale mes Kosovës dhe Serbisë në një perspektivë disa vjeçare.

Të dielën, me 18 shtator, AP e publikon të gjitha pikat dhe nënpikat e propozimit.

Hyrja që tregon perspektivën në tri segmente të ndara, bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika do të jenë pjesë e publikimit.

Të gjitha segmentet shpjegojnë në detaje të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi, patjetër se ka brenda “shkopin dhe karotën” e fuqive të mëdha.

Të dielën, ekskluzivisht në Albanian Post, mund të lexoni çfarë kanë lexuar Kurti e Vuçiç para pak ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore