Muzikë

Lahaj: Festivalin RLIOF ia dedikoj nënës


Ramë Lahaj

Të dielën e 31 korrikut, është mbajtur koncerti përmbyllës i festivalit “RLIOF”, në Sheshin Skenderbeu në Prishtinë.

RLIOF, festivali i parë i operës në Kosovë dhe rajon, me një sërë artistësh vendor dhe ndërkombëtar, solli një atmosferë krejt ndryshe në Prishtinë.

E gjithë këtë punë dhe përkushtim, Lahaj ia dedikon nënës, tashmë të ndjerë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ai ka bërë të ditur se megjithëse ka hasur në shumë vështirsi gjatë realizimit, ai mbetet shumë mirënjohës për dashurinë dhe respektin që qytetarët i kanë ofruar.

“Festivali RLIOF asht festivali të cilin ja kam dediku nanës së ndjerë, ndaj pavarësisht vështirësive që hasim në procesin e ngritjes së tij, unë ju premtoj se do të vij çdo verë me ju përqafu nga skena, për dashninë e respektin që ma keni dhanë këto vite. I juaji, Rame”, ka shkruar Lahaj.

Rame Lahaj

Pjesëmarrës në këtë mbrëmje, kanë qenë edhe disa nga fytyrat më të njohura në botën operistike si sopranoja: Pretty Yende dhe Anna Bondarenko, pastaj baritoni Franco Vassallo, tenori Jean Bernard Thomas, Valeroi Galli dhe Erza Muqolli.

Ishte paraparë që të performonte edhe sopranoja Angela Gheorghiu, megjithatë për shkak të arsyeve shëndetësore ajo e kishte të pamundur të udhëtonte drejt Kosovës.

“Me shumë keqardhje ju njoftojmë se sopranoja nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e ka të pamundun me udhëtu për në Kosovë, ku edhe po e planifikonte debutimin e saj në festivalin tonë”, është shprehur Lahaj.

Për të ndjekur koncertin të pranishëm ishin presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e tregtisë dhe industrisë, Rozeta Hajdari, personalitete nga jeta politike dhe arti si dhe shumë qytetarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore