Shqipëria

Laç / Rama inspekton punimet, 4 pallate të përfunduara brenda majit


Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në kantierin e rindërtimit në Laç.

“Duke ndjekur punën madhështore që vijon për lagjen e re, Zonës 1 dhe Zonës 2 të qendrës së qytetit”, shkruan Rama në Facebook.

“Kjo është lagjja më e bukur e re e Shqipërisë”, tha Rama.

Inxhinieri turk që shoqëronte kryeministrin ka konfirmuar mbylljen e punimeve brenda muajit maj. Katër pallate janë drejt përfundimit, ku pritet kompletimi i pjesës së tarracës dhe apartamenteve.

Mobilimi ndërkohë do të bëhet me pjesë të ardhura nga Turqia. Apartamentet do jenë të tipit 1+1, 2+1 dhe 3+1.

Inxhinieri turk ka pohuar gjithashtu se “cilësia e punimeve është e lartë dhe kompleksi do të jetë i kompletuar me çdo komoditet”.

Modeli i parë i fasadës së jashtme do të përfundojë në prill.

Lagjja e re në Laç do të ketë edhe ambiente rekreative si parqe dhe lulishte. Vendet e parkimit do të jenë po ashtu të sistemuara.

Punime do të bëhen edhe për Bashkinë e re të Laçit dhe spitalin e ri. Në projekt janë parashikuar edhe ndërtimi i shkollave të zonës dhe gjithë infrastrukturës.

Një qendër komerciale dhe ambiente shërbimesh do të jenë të vendosura në katet e para të pallateve.

Zona e Kurbinit dhe në veçanti Laçi, kanë qenë ndër më të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, i cili goditi Shqipërinë. Për shkak të këtyre dëmtimeve, u pa e arsyeshme të rindërtohej një lagje e tërë e re.

Punimet i ka marrë përsipër shteti turk dhe inxhinierët janë sjellë Turqia posaçërisht për projektin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore