Shqipëria

Kuvendi: Pretendimet e presidentit nuk qëndrojnë


Në lidhje me padinë që Presidenti Ilir Meta ka bërë në Prokurori dhe SPAK, ka reaguar edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas këtij institucioni, pretendimet e Metës nuk qëndrojnë.

Në mesazh shkruhet se, në respekt të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendim, Kuvendi respekton heshtjen dhe nuk bën komente për rastin në fjalë.

Kuvendi shkruan se pretendimet e Presidentit për manipulim apo falsifikim të dokumenteve, “me përgjegjësi të plotë sqarojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë”.

Kuvendi i Shqipërisë, më datë 4 shkurt 2022, ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim.

Akuza e Metës

Meta ka akuzuar funksionarët e Kuvendit se, gjatë seancës së shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, ata kanë “falsifikuar dokumentet”.

Bëhet fjalë për dokumentet e sjella nga përfaqësuesit e mazhorancës në Kuvend.

“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant. Ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë – në një proces që ndodh për herë të parë kundër Presidentit të Republikës”, deklaroi më herët ai, gjatë një konference.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj, dha detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”, të kryera nga Kuvendi ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.

“Një prej shkeljeve të konstatuara nga ana jonë ishte fakti, që në datën 7 maj në vitin 2021, kur u miratua ngritja e Komisionit Hetimor, Kuvendi kishte bërë tre shkelje”, tha ai.

Sipas Dervishajt, rendi i ditës ishte caktuar nga ish-kryetari i Kuvendit në datën 6 maj për në datën 7 maj, pra nëse “do t’u kthehemi ngjarjeve, Kuvendi po thërritej në seancë plenare për një afat më pak se 24 orë.

Ai ka theksuar se, në rendin e ditës, nuk kishte dy çështje, por kishte një.

“Shkelja e tretë që kemi pretenduar kishte të bënte me faktin se, referuar rregullores së Kuvendit, nuk kishte kërkesë për shtesa në rendin e ditës”.

Dervishaj dhe presidenti Meta deklaruan se do t’i drejtohen Prokurorisë “për manipulimin e shkresave nga ana e Kuvendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore