Lajme

Kuvendi mblidhet të enjten, pritet miratimi i një deklarate në mbështetje të Rezolutës së PE-së për Kosovën


Të enjten në ora 10:00 në Kuvendin e Kosovës do mbahet seancë plenare ku pritet të miratohet një deklaratë në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian për zhvillimet e dialogut Kosovë- Serbi.

“Miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës”, thuhet në njoftim të zyrës për media të Kuvendit.

Muajin e kaluar, Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën me të cilën ka dënuar sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator dhe i ka bërë thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian që të vendosin masa kundër Qeverisë së Serbisë, nëse vërtetohet se ajo ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Parlamenti Evropian miraton Rezolutën për sulmin terrorist në Banjë

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore