Kosova

Parlamenti Evropian miraton Rezolutën për sulmin terrorist në Banjë


Parlamenti Evropian të enjten ka miratuar Rezolutën me të cilën dënon sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator dhe i bën thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian që të vendosin masa kundër Qeverisë së Serbisë, nëse vërtetohet se ajo ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Lajmin e ka kumtuar në platformën X, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik.

“Ne kemi nevojë për një hetim të plotë për sulmin në Banjë. Beogradi dhe Prishtina gjithashtu duhet të kthehen në një dialog me ndërmjetësimin e BE-së”, ka shkruar ai.

 

Çka thuhet në Rezolutë?

Rezoluta e PE-së do të apelojë fuqishëm tek të dyja palët të bëjnë gjithçka që të ulin tensionet dhe të mos ndërmarrin hapa që do të çonin në përkeqësim të situatës në terren, ndërsa do të kërkojë nga Kosova dhe Serbia të përmbushin propozimet e BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veriun e Kosovës dhe të dyja palët të kthehen në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ajo do të përsërisë thirrjen drejtuar të dyja palëve që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në parimin e njohjes së ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme.

Rezoluta e PE-së do të apelojë për kthimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës, ndërsa Kosovës do t’i kërkohet të themelojë Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe (ASM) pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Gjithashtu, në përputhje me Kushtetutuën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) do t’i kërkohet të krijojë një plan për të kontrolluar situatën në Veri me elemente solide që mund të veprojnë si pengesë në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm. KFOR-it do t’i kërkohet monitorimi dhe kryerja e mbikëqyrjes së vazhdueshme në Veriun e Kosovës për të siguruar zbulimin e çdo inkursioni paramilitar ose sulmi nga Serbia.

Çka ndodhi më 24 shtator?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore