Lajme

Kuvendi i Kosovës miraton në parim buxhetin për vitin 2024


Ilustrim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2024 pas seancës maratonike të së enjtes. Pro kanë qenë 62 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas hedhjes në votim të këtij projekligji, deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën në shenjë revolte.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është përcjellur me akuza e kundër akuza ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushet dhe deputetëve të partive opozitare – Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) – lidhur me buxhetin e planifikuar për vitin 2024 nga Qeveria e Kosovës.

Në projektbuxhetin për vitin 2024 parashihet që mbi 1 miliard euro të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, ndërsa 800 milionë euro për paga e shtesa. Gjithashtu, afër 500 milionë euro parashihen të shkojnë për mallra dhe shërbime.

PDK-ja ka shprehur kritikat e saj ndaj projektbuxhetit, nën arsyetimin se planifikimi aktual nuk ka alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve, derisa LDK-ja ka vlerësuar se është përkeqësuar struktura e buxhetit dhe investimet kapitale kanë rënë në 16 për qind.

AAK-ja nga ana tjetër ka shprehur shqetësimin për mohimin e shtesave të rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe mungesën e investimeve kapitale, derisa buxhetin e planifikuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2024 e ka cilësuar si më të voglin që prej çlirimit të Kosovës në vitin 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore