Lajme

Kuvendi i Kosovës diskuton për pabarazinë gjinore


Kuvendi i Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës, po mbahet seancë e jashtëzakonshme për pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, deklaroi se kjo seancë është thirrur për t’i diskutuar sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë, e veçanërisht ato që nuk janë të përfaqësuara në institucione publike.

“Kjo nuk është vetëm fenomen, por është pandemi ndërkombëtare. Këtu përfshihen edhe vrasjet e grave. Këtë vit ne e filluam me një lajm të tillë, vrasjen e një qytetareje të Kosovës nga partneri i saj”.

“Ajo kishte kërkuar ndihmë në institucionet e drejtësisë. Femicidi është krim kundër tërë njerëzimit, mbi 76 gra janë vrarë deri më 2021, janë jetë njerëzish”, tha Kurti.

Ndërsa, sipas deputetës nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu shoqëria kosovare vazhdon të perceptohet patriarkale.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu.

“Shoqëria jonë vazhdon të perceptohet patriarkale, ne duhet të jemi të sinqertë me veten edhe duhet ta pranojmë se jemi shoqëri patriarkale”.

“Edhe në dikasteret ku drejtojnë gratë ka shumë padrejtësi. Kjo qasje është thjesht diskriminim, në tregun e punës gratë vazhdojnë të jenë të mbi përfaqësuara me paga të ulëta”, tha Musliu.

Ajo konsideron një rol kyç në këtë situatë ka edhe mbështetja e grave për njëra-tjetrën.

“Diçka që është turp për një grua është turp edhe për një burrë, janë çështje që duhet të trajtohen, dhe të përmirësohen politikat gjinore, duke bashkëpunuar. Shumë e rëndësishme është edhe mbështetja e grave për njëra-tjetrën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore