Lajme

Kushtëzimi i KiE-së me Asociacionin nga Franca e Gjermania po ndodh me pajtimin dhe bekimin e plotë të Qeverisë


Ilustrim: Albin Kurti

Qeveria e Kosovës duke pranuar fillimisht Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e më pastaj duke u zotuar për zbatimin e plotë të saj përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, e ka trasuar rrugën që Franca dhe Gjermania të dalin me një qëndrim unison duke kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në KiE me procedimin tutje të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim – vlerësojnë analistët politik.

Për sociologun, Shkodran Ramadani, Qeveria e Kosovës me vetëdije të plotë ka zbatuar një qasje që pashmangshmërisht do të rezultonte me krijimin e një blloku unitar në bashkësinë ndërkombëtare, ku domosdoshmëria e Asociacionit bëhet qëndrim konsensual i të gjithë tyre.

“Kërkesat për hapa konkretë në drejtim të themelimit të Asociacionit nuk po vijnë thjesht si presion i pajustifikueshëm nga jashtë, por si zotim i marrë vullnetshëm nga vetë Qeveria e Kosovës në Marrëveshjen e 2023 në Bruksel, në Aneksin e Zbatimit në Ohër, në Planin e Sekuencimit dhe së fundmi në letër-zotimin dërguar Këshillit të Evropës nga Kryeministri, Presidentja dhe Kryekuvendari”, thotë Ramadani për Albanian Post.

Me konstatimin se ky transaksion Asociacion – Këshilli i Evropë është i paarsyeshëm dhe i dëmshëm për Kosovën, Ramadani potencon se kjo gjë po ndodhë me pajtimin dhe bekimin e plotë të Qeverisë së Kosovës.

“Zajednica po vjen sepse kështu është zotuar kryeministri i vendit”, shton ai.

Në të njëjtën linjë të mendimit me Ramadanin është edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili konstaton se nevoja e ndërmarrjes së një hapi substancial në raport me Asociacionin vis-a-vis procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE është theksuar qartësisht edhe në opinionin e raportueses për Kosovën në këtë organizatë ndërkombëtare, Dora Bakoyannis.

“Në pikën 39 të këtij raporti kërkohet saktësisht që kur Komiteti i Ministrave ta shqyrtojë anëtarësimin e Kosovës në KiE themelimi i Asociacionit të figurojë si çështje e veçantë. Forma se si zbatohet pastaj kjo pikë mbetet vendim i Komitetit”, thotë Ymeri për Albanian Post.

Zotimi i krerëve institucional të Kosovës dërguar raportueses Bakoyannis se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit, sipas Ymerit, ndoshta do të ishte i mjaftueshëm për Perëndimin që të pranojë përfundimisht Kosovën në Këshillin e Evropës, por në vlerësimin e tij, në sytë e shteteve të QUINT-it, Kurti aktualisht nuk ka kredibilitet.

“Prandaj vendet e QUINT-it kanë vendosur që të kërkojnë veprim të paprapakthyeshëm në drejtim të themelimit të Asociacionit, ashtu siç e kishte përmendur Presidenti Macron në bisedën telefonike me Kurtin”.

Andaj Ymeri beson se Kurti përfundimisht do ta procedojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese, por gjithmonë duke treguar rezistencë për qëllime propagandistike për konsum të brendshëm.

“Kurti po arrin që me sjelljen e vet taktike ta bëjë presionin ndërkombëtar të dukshëm në mënyrë që të shfajësohet pastaj për koncesionet e bëra”, potencon ai.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Macron, Kurtit: Franca do progres të shpejtë në çështjen e Asociacionit sidomos në kontekstin e Këshillit të Evropës

Të martën pas Francës edhe Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV potencoi se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.

Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.

Gjermania kërkon që Kosova ta dërgojë në Kushtetuese Asociacionin nëse do anëtarësim në KiE

Të martën, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se autoritete kosovare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Draft-statutit, që nuk është shkruar nga Kosova, por nga Bashkimi Evropian, është në plan që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës me propozim të Elbert Krasniqit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Siç ka kuptuar Albanian Post nga burime ndërkombëtare, ky hap do të jetë kushti për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Të njëjtat burime thonë se Qeveria e Kosovës është pajtuar që ta bëjë këtë lëvizje në këmbim të anëtarësimit në KiE.

Pra, jo pritja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm dërgimi në gjykatë nga Qeveria e Kosovës do të jetë hapi i domosdoshëm i kërkuar nga ndërkombëtarët.

Kjo është paraqitur edhe në pikat e raportit të raportueses Dora Bakoyannis ku thuhet se Kosova duhet “të marrë hapa substancial dhe të prekshëm për të zbatuar të gjithë artikujt e Marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ky hap “substancial” dhe “i prekshëm” do të jetë pikërisht dërgimi i draftit për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Se Kosova do të ndërmarrë hapa “substancial” dhe “të prekshëm” u bë e qartë edhe në letrën e 22 marsit kur Kryeministri, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i thanë raportueses Bakoyannis se do t’i zbatojnë të gjitha kërkesat që ajo i ka renditur në raport.

“Do të donim të shfrytëzonim këtë mundësi t’iu informojmë se ne besnikërisht do t’u qëndrojmë listës së angazhimeve/kushteve të dhëna në Apendiksin 1 të letrës tuaj të 21 marsit 2024 për bërjen e Kosovës shtet anëtar në Këshillin e Evropës”.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore