Shqipëria

Kushtetuesja në punë, por kush gjykon?


Prej pak ditësh Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka plotësuar vakancat, duke arritur kuorumin minimal për fillimin e punës. Ky lajm u prit shumë mirë nga ndërkombëtarët, ndërkohë që nuk ka pasur reagime të mëdha nga aktorët politikë në vend.

Me dy vende të cilat janë ende vakante dhe presin të plotësohen, kemi një tablo të shtatëshes së gjyqtarëve që do të vendosin çështjet kushtetuese. Deri tani, pesë prej anëtarëve janë gra dhe dy janë burra.

Por kush do të vendosë fatet e çështjeve që do të gjykohen në Kushtetuese?

Dr. Vitore Tusha, anëtare me kompetenca të Kryetarit

Tusha ka lindur në 1960-ën në Tiranë. Ajo është diplomuar në vitin 1983 për Drejtësi në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Ndërkohë në 1997-ën ka marrë titullin “Doktor i Shkencave Juridike”.

Për shtatë vite pas diplomimit, ka ushtruar detyrën e përmbarueses gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Më pas në periudhën 90’-92’ ka punuar si avokate. Në 92’-94’ ka qenë gjykatëse pranë Gjykatës së Kasacionit, si dhe kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate në 99′-2001. Në vitin 2004 është zgjedhur nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Noterëve.

Prej marsit të 2008-ës është anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë prej 2019-ës ushtron funksionin e zëvendëskryetares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe kompetencat e Kryetarit të Kushtetueses.

Dr. Elsa Toska, anëtare

Toska ka lindur në 1976 në Kavajë. Ajo është diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës. Në 2005-ën merr titullin “Master” ndërkohë që në 2012-ën gradën shkencore Doktore e Shkencave Juridike.

Në vitet 2000-2006 ka punuar si ndihmëskomisionere pranë Avokatit të Popullit. Më pas ka ushtruar për një vit profesionin e avokates. Në periudhën 2007-2019, Toska ka qenë këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Më pas në nëntor 2019, u emërua si anëtare e saj.

Prej 2017-s është gjithashtu eksperte e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës.

Marsida Xhaferllari, anëtare

Xhaferllari u lind më 1975 në Tiranë. Në vitin 97’ ajo diplomohet në Drejtësi nga Universiteti i Tiranës. Në periudhën 97’-2000 kryen studimet në Shkollën e Magjistraturës, si brez i parë i të diplomuarve.

Ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier gjatë viteve 1999-2007. Në 2007-ën ka ushtruar detyrën e këshilltares në Ministrinë e Drejtësisë. Në 2015-2016 ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë për reformën në drejtësi. Në nëntor 2019, emërohet si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Dr. Fiona Papajorgji, anëtare

Papajorgji u lind në Vlorë në 1976-ën. Në 2000-ish diplomohet në Drejtësi nga Universiteti i Bari-t. Në 2012-ën merr gradën Doktore e shkencave juridike nga Universiteti i Bari-t.

Gjatë periudhës 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokates fillimisht dhe më pas avokates, pranë disa firmave ligjore në Bari. Në vitin 2009 fillon punën si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në 2011-ën bëhet këshilltare ligjore pranë Kushtetueses. Në nëntor 2019 emërohet anëtare pranë saj.

Altin Binaj, anëtar

Binaj u lind në vitin 1970 në Vlorë. Në vitin 92’ diplomohet në Drejtësi nga Universiteti i Tiranës. Më pas kryen për pesë vite detyrën e hetuesit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në 11 vitet e ardhshme ushtroi detyrën e prokurorit pranë saj.

Në vitin 2013 emërohet pranë Prokurorisë së Përgjithshme si prokuror. Më pas ai ka ushtruar detyrën si drejtor në Drejtorinë Kundër Krimit Ekonomik, Korrupsionit dhe Krimeve të rënda. Gjatë viteve 2016-2020 ka drejtuar Prokurorinë e Apelit Vlorë. Në dhjetor 2020 u emërua si anëtar i Kushtetueses.

Përparim Kalo, anëtar

Kalo u lind më 1957 në Kuçovë. Ka kryer fillimisht studimet në Akademinë Ushtarake. Më pas në vitin 89’ është diplomuar në Drejtësi.

Ka punuar si inspektor në periudhën 90’-93’. Në vitin 1994 ka filluar veprimtarinë si avokat. Për 26 vite ka ofruar shërbime ligjore nëpërmjet firmës së tij. Në dhjetor 2020 emërohet si anëtar i gjashtë i Kushtetueses, duke i dhënë fund ngërçit të krijuar prej tre vitesh.

Sonila Bejtja, anëtare

Bejtja u lind më 1974 në Tiranë. Është diplomuar në vitin 2000 në Drejtësi nga Universiteti i Milanos.

Noterja ka një eksperiencë 18 vjeçare në fushën e drejtësisë. Prej prillit të 2001-shit ajo është e regjistruar në Degën Vendore të Noterëve Tiranë. Ajo gjithashtu është e kualifikuar si avokate dhe e regjistruar pranë Dhomës Kombëtare të Avokatëve që prej 2001-shit.

Në dhjetor 2020 u zgjodh si anëtarja e shtatë e Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë, pas tre vitesh inaktiviteti, pritet që Kushtetuesja të gjykojë çështjet e para./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore