Lajme

Kushtetuesja merr vendim, nuk zëvendësohen deputetët që votuan për Osmanin


Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për ankesën e bërë nga kandidatët joserbë për deputetë, përkatësisht nga kandidati i komunitetit egjiptian, Veton Berisha, dhe nga ai i komunitetit rom, Albert Kinolli, e ku pretendohej që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mund të shkarkohej pas këtij vendimi, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur pas publikimit të vendimit këtë të enjte.

Kërkesën e Albert Kinollit e ka shpallur si të papranueshme, ndërsa atë të Veton Berishës e ka deklaruar të pranueshme për shqyrtim në merita.

Ish-deputeti Veton Berisha dhe Albert Kinolli e kishin dërguar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese para dy vjetësh, ku kishte të bënte lidhur me votat e partisë “Romani Iniciativa” në vendbanimet me shumicë serbe në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit të vitit 2021, ku pretendonin se mandatet e tyre janë marrë nga kjo inciativë pas ndihmës që Lista Serbe i ka dhënë.

“Për sa i përket njërit nga kandidatët e lartcekur, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, PREBK, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Albert Kinolli, Aktgjykimi sqaron që i njëjti nuk i ka shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sepse nuk i ka apeluar vendimet e PZAP-së të 7 dhe 10 marsit 2021, në Gjykatën Supreme”, thuhet aty.

Sipas verdiktit të Kushtetueses, aktgjykimi i Supremes nuk e ka cenuar të drejtën e Veton Berishës që të zgjidhet ligjvënës në Kuvendin e Kosovës, po ashtu ka konstatuar se aktgjykimi nuk ka efekt prapaveprues, që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta.

“Sa i përket parashtruesit tjetër të kërkesës, “përkatësisht PLE, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Veton Berisha, Aktgjykimi sqaron që i njëjti konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme vetëm sa i përket refuzimit për anulimin/shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotime të saktësuara në komunat e Kamenicës, Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut”.

“Megjithatë, Vendimin plotësues të PZAP-së të 10 marsit 2021, që kishte vendosur përkitazi me Mitrovicën e Veriut, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte apeluar në Gjykatën Supreme, duke dështuar për pasojë t’i shterojë mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Rrjedhimisht, sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, vlerësimit meritor të Gjykatës i nënshtrohet Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme vetëm përkitazi me refuzimin e anulimit/shpalljes së pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotimet e saktësuara në komunat e Kamenicës dhe Graçanicës, respektivisht”, thuhet aty.

“Thelbi i konstatimit të Aktgjykimit: Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në kërkesën e ish-deputetit të komunitetit rom, Veton Berisha, të cilën e kishte dërguar në Kushtetuese, pretendonte se në zgjedhjet e fundit nacionale, të mbajtura me 14 shkurt të vitit 2021, ka pasur orkestrim të votave nga ana e “ Romani Iniciativa” me “Listën Serbe”, deh si pasojë e këtij bashkëpunimi me një vendim të njëanshëm të PZAP-së dhe e konfirmuar edhe nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka deputetet jo-legjitim pikërisht nga “Romani Iniciativa”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore