Shqipëria

Kushi: Shqipëri-Kosovë, njehsimi i diplomave dhe gradave shkencore


Në mbledhjen e shtatë të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, që po mbahet në qytetin e Elbasanit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka bërë të ditur marrëveshjen mbi njehsimin e diplomave dhe gradave shkencore mes dy vendeve.

“Duke u nisur nga interesi ynë, kemi dakordësuar që të lehtësojmë procedurat dhe afatet për njohjen e diplomave, certifikatave apo kualifikimeve”, ka thënë Kushi në mbledhjen e përbashkët mes qeverive.

Sipas saj, “në 20 ditë pune, kryhet njehsimi i plotë i gradave. Marrëveshja bëhet pa efekte financiare. Në një kohë rekord, kemi arritur ta dakordësojmë këtë marrëveshje”.

Gjithashtu ajo ka ravijëzuar se po punohet edhe për Abetaren unike të përbashkët.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se marrëveshja e arritur shkurton procedurat formale në raport me njohjen e diplomave dhe gradave akademike.

“Lehtësimet janë me interes për qytetarët e dy vendeve, duke inkurajuar mobilitetin e personave me kualifikime e grada të larta”, ka thënë ajo.

Gjithashtu ka shtuar se “jemi të fokusuar të kryejmë njohje reciproke edhe të kualifikimeve në profesionet e rregulluara”.

Për të, është koha që të dy vendet të punojnë së bashku për kurrikula të njehsuara dhe për Abetaren e përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore