Shqipëria

Kushi: Mësimi në universitete në mënyrë hibride


Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve (MASR), Evis Kushi, ka njoftuar të mërkurën në një deklaratë për media, se mësimi në universitete do të zhvillohet në mënyrë hibride.

Ajo i është drejtuar mësuesve, pedagogëve, studentëve dhe stafeve universitare, në lidhje me mënyrën e zhvillimit të provimeve të sezonit të dimrit.

“Unë do të kërkoja nga univeristetet, që provimet të zhvillohen në auditore kur nuk mund të zhvillohen online, duke zbatuar masat parandaluese ndaj Covid-19”, u shpreh Kushi.

Ministrja specifikoi pesë hapat kryesore që do të ndërmerren për Universitetet. Së pari, studentëve në sezon duhet t’u ofrohet mundësi për zgjatjen e periudhës së sezonit.

Gjithashtu ministrja sugjeroi që mungesat në seminaret online të mos i paralizojnë studentët në pjesëmarrjen e tyre në provime.

“E konsiderojmë të rëndësishme zbatimin e kushteve dhe masave anti-Covid”, theksoi ajo.

Ministrja ka dërguar më parë një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve për të zhvilluar provimet në auditorë. Komiteti i është përgjigjur pozitivisht duke i marrë parasysh kërkesat.

Kushi u shpreh mirënjohëse ndaj çdo studenti, pedagogu dhe ndaj Komitetit Teknik të Ekspertëve që reagoi pozitivisht ndaj kërkesave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore