Shqipëria

Kushi: Mbështetje financiare për studentët që zgjedhin degët e Universitetit Bujqësor


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ishte e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Michigan State University. Gjatë fjalës së saj, ajo deklaroi që Qeveria do të financojë për të gjithë studentët që do të zgjedhin degët e Universitetit Bujqësor.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.

Kjo marrëveshjeje mes dy universiteteve ka si qëllim lehtësimin dhe përmirësimin në bashkëpunimin akademik për trajnimet, kërkimin shkencor, zhvillimin e kurrikulës, sigurimin e cilësisë si dhe shkëmbimin e studentëve dhe stafit.

Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi theksoi se sektori i bujqësisë është prioritet për zhvillimin e vendit dhe kjo duhet të reflektohet në shifrat e studentëve të cilët zgjedhin degët e bujqësisë.

Sipas saj, sfida më e madhe e Universitetit Bujqësor të Tiranës mbetet rritja e interesit për të rinjtë shqiptarë për të studiuar në programet e ofruara në këtë universitet, për të cilat tregu ka nevojë.

“Jemi të angazhuar maksimalisht që së bashku me rektorin e universitetit të nxisim interesin për këto degë. Nuk do ta bëjmë këtë vetëm me ndërgjegjësim apo promovim, por me mbështetje financiare. Ne do të ofrojmë mbështetje financiare dhe reduktim tarifash apo bursa studimi për ata studentë që do të zgjedhin të studiojnë në këto programe prioritare”.

Duke folur për kampusin e ri universitar të UBT-së, Kushi tha se ai do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në rajon, një investim nga qeveria shqiptare ku do të akomodohen 2200 studentë. Kjo do të jetë një qendër multifunksionale që do të ofrojë të gjitha shërbimet që kanë nevojë studentët.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore