Kosova

Kush po e mbron Milan Radoiçiçin?


Milan Radoiçiç

Edhe pse është në kërkim nga ana e Policisë së Kosovës, për rastin “Brezovica”, nënkryetari i Listë Serbe, Milan Radoiçiç, është parë të dielën në krye të barrikadave të ngritura nga serbët lokal të cilët po protestonin kundër fillimit të implementimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identitetit.

Lajmi se Radoiçiç ishe pjesëmarrës në barrikadat në Veri, pati konfirmuar ditë më parë edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

“Radoiçiç ka autoritet të madh në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur ai iu bashkua atyre në protesta”, pati deklaruar Rakiç.

Ndërsa mbetet e paqartë se pse Policia e Kosovës nuk kishte informacione se personi për të cilin kishin lëshuar fletarrest ndodhet në territorin e Kosovës.

Sipas burimeve jo-zyrtare të gazetës serbe “Nova.rs” dhe gjithashtu nga dëshmitë e qytetarëve, Radoiçiç në të vërtet ka qenë pjesë e protestave në Veri të dielën.

Ndryshe Radoiçiç, i cili akuzohet për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, javë më parë përmes një video adresimi nga Leposaviçi ishte drejtuar serbëve në Veri.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, personin kriminal, Milan Radoiçiç e kishte lidhur së fundmi edhe me sulmin që ngjau në Veri ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga kontrabandues të mallrave.

Radoiçiç një kriminel në arrati nga autoritetet kosovare së fundmi ishte futur edhe në Listë të Zezë nga Departamenti i Thesarit të ShBA-së.

Në mbrojte të tij pati dalë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai në komentin e sipër të vendimit të SHBA-ve pati thënë se autoritetet kompetente të Serbisë do të hetojnë gjithçka nëse ka ndonjë akuzë të rëndë ndaj tij.

Autoritetet gjyqësore të Kosovës janë në kërkim të Radoiçiçit që nga nëntori i vitit 2018, kur Policia e Kosovës tentoi ta arrestojë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviçit, por të njëjtin nuk e gjeti në banes. Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë qenë në kërkim të tij.

Më 3 shkurt, Radojçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

“Po ka lidhje drejtpërdrejt me rastin Brezovica”, pati konfirmuar prokurori Rasim Maloku për AP, duke shpjeguar mëtej rastin.

Pse ishte tërhequr urdhërarresti për arrestimin e Radojiçiç? 

Në muajin mars të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiçit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Në aktvendim të Gjykatës, thuhej se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore