Lajme

Kush mund të jetë vallë “më i mençur” se Vuçiçi?


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, rënkoi në zhgënjim ndaj bashkëpartiakëve të tij që bënë fushatë kundër Referendumit për ndryshime kushtetuese, dhe u largua demonstrativisht nga selia e partisë me fjalët “po, ju jeni më të mençurit, ju merreni udhëhiqeni partinë”.

Më pas, lajmëroi, siç ka bërë së paku 10 herë këto pesë vitet e fundit, se “do të dorëhiqem nga pozita e kryetarit të partisë”, dhe se “disa më të mençur se unë do ta udhëheqin partinë”.

Por kush mund të jetë vallë më i mençur se “njeriu që di gjithçka” dhe ai që “ka ndërtuar Serbinë”, dhe a do të ketë test masiv inteligjence në selinë e partisë më të madhe dhe më “Përparimtare” serbe? Vështirë se do të mund të përshkruhet ajo betejë mendjesh gjigande ku racionaliteti do të manifestojë veten sokratikisht në hapësirat partiake të SNS-së.

Viktimizimi dhe llastia e Aleksandër Vuçiç, është edhe motori më i frytshëm i tij që nga ngjitja në pushtet në vitin 2012. Psikologjia inverse që Vuçiç shkakton me këso deklarata në publikun ekstra-sentimental të votuesit tradicional e konzervativ serb që ndizen emocionalisht nga popullistët, është strategji e kahershme dhe primordiale.

“Unë po ju lë”, në stilin e telenovelave indiane, trazoi zemrat politike përmes mediave që janë sinonime të kinematografisë partiako-romantike të SNS-së.

Tabloidët dhe maçineria filmiko-propagandistike e partisë së tij, kanë nisur vajtimin nëpër medie se “truri i Serbisë” po e lë partinë “për Sebrinë”. Dramatike.

SNS do ta ketë të vështirë “ndarjen” nga alfa-popullisti Aleksandër Vuçiç, por edhe më të vështirë të gjejë “trurin” ekuivalent me atë të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore