Kosova

Kush është Blerim Isufaj – kandidati për Kryeprokuror të Shtetit që e “sulmon” pushteti?


Blerim Isufaj

Arrestimi bashkëpartiakut Nagip Krasniqit – që mban (kundërligjshëm) pozitën e Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës – nga Policia e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorime disa tenderë, një prej tyre 3.4 milionë euro, i acaroi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Halit Thaçi, Artan Abrashi, Arber Rexhaj, Adnan Rrustemi e shpallen “të pafajshëm” Krasniqin, ndonëse për këtë ende nuk ka ndonjë vendim të Gjykatës.

Deputetët e LVV-së, duke mos iu besuar dyshimeve të Prokurorisë Speciale për akuzat që i vihen në barrë ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje – “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit” – hodhën akuzat e tyre ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Pushteti i del në mbrojtje të arrestuarit për korrupsion, sulmon kryeprokurorin Isufaj

Deputetët e mazhorancës aluduan se ky i fundit po ”hakmerret” në shenjë pakënaqësie, meqë nuk po dekretohet si Kryeprokuror i Shtetit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi llogaritet si pjesë e “regjimit të vjetër”.

“A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”, “Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetërorë (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari), “Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri”, këto ishin disa nga akuzuat e deputetëve të LV-së drejtuar Isufajt.

Edhe “e forta e LV-së” Dejona Mihali e “sulmoi” kryeprokurorin Isufaj për arrestimin e Kryeshefit të KEK-ut.

“Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim. Pse do të thoni ju? Çka mendoni ju se mund të bëj tjetër një prokuror si Blerim Isufaj përveçse të zhytet edhe më thellë në ujëra të zeza”.

Edhe “e forta e VV-së” sulmon kryeprokurorin Isufaj për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

Por, kush është Blerim Iufaj dhe pse s’po dekretohet si Kryeprokuror i Shtetit?

Isufaj, ndonëse më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës, e ka votuar unanimisht për Kryeprokuror të ri të Shtetit, ende nuk e ka nisur punën.

Sipas Bekim Kupinës, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kjo e fundit po pret përfundimin e afateve ligjore për marrjen e një vendimi edhe pse sipas tij, Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit.

“Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, pati thënë Kupina në një njoftim për media këtë muaj.

Ndryshe, Isufaj që po tenton të bëhet Kryeprokuror si pasues i Aleksandër Lumezit, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare.

Pas luftës, Isufaj u angazhua si këshilltar politik për çështje juridike në Ministrinë e Drejtësisë.

Kurse nga viti 2010 Isufaj ishte zgjedhur Prokuror i Krimeve të Rënda dhe në vitin 2013 kaloi në Prokurorinë Speciale, pozitë të cilën e kishte ushtruar deri në vitin 2016, kur kishte marr kryesimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Më 2019, Isufaj u zgjedh me 10 vota për dhe asnjë kundër Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

KPK-ja i kërkon Osmanit ta dekretojë Blerim Isufajn Kryeprokuror

Isufaj ishte sulmuar edhe nga Konjufca

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, kishte deklaruar në një emision televiziv se “njeriu kryesor i drejtësisë e ka dosjen e kriminelëve në veri, por nuk po ndërmerr asgjë”, duke aluduar në Blerim Isufajn.

I shpejtë kishte qenë reagimi i Isufajt, duke sqaruar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me veprat penale të kryera në veri të vendit, duke ju dhënë autorizimet e nevojshme policisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, përfshirë edhe arrestimet sipas urdhër arresteve të lëshuara për të gjithë personat që janë si të dyshuar në këtë dosje hetimore.

Prokuroria kishte shtuar se për krimin në veri kanë bërë arrestime e aktakuza, dhe shumë prej tyre janë ende në shqyrtime gjyqësore, e disa prej këtyre rasteve janë të shënjestruara nga Ekipi i Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve te Rënda të cilin e udhëheq Kryeprokurori i PSRK-së.

“PSRK njofton publikun e gjerë, se prokuroria për punën e saj nuk bën deklarata publike për veprimet hetimore që ndërmerr për rastet që ka në hetime, e këtë nuk e ka bërë as kur vet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës personalisht ka dal në vendin e ngjarjes kur janë sulmuar policia e Kosovës në veri, sepse konsideron se sundimi i rendit dhe ligjit në secilin cep të vendit, është qëllimi i punës së prokurorisë, e jo publikimi i veprimeve hetimore të asnjë rasti hetimor” – thuhej në reagim.

Rasti i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit

Blerim Isufaj, përkatësisht Prokuroria Speciale, ishte marrë edhe me rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

‘’Kemi pranuar raportin informues dhe kemi filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe brenda një afati të arsyeshëm besoj do të dalim me gjetje”, pati deklaruar Isufaj.

Rasti që e kishte njoftuar me konferencë të jashtëzakonshme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u zgjodh shpejt – meqë u kuptua se në fakt mostrat s’kishin humbur asnjëherë, por vetëm u ishte lëvizur vendi brenda laboratorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore