Lajme

Kush është Aleksandër Arsenijeviç, kundërshtari i Listës Serbe në Veri dhe i vetëshpalluri lider i serbëve të Kosovës?


Foto nga Danas: Aleksandër Arsenijeviç.

Aleksandër Arsenijeviç.

Ky është emri i të riut nga Mitrovica e Veriut që përbën figurën e fundit në skenën politike të Kosovës, por nga pala serbe.

Ai, bashkë me kolegë të tij, ka formuar një lëvizje qytetare me emrin “Mbijetesa Serbe”.

Arsenijevic kishte provuar të kandidojë për kryetar komune të Mitrovicë së Veriut në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, por u ndalua nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pasi kishte një dënim për vepër penale dhe ishte dënuar me 300 euro.

Dënimi i ishte shqiptuar para dy vjetësh e dhjet muajsh, por sipas ligjit askush që ka në afat prej tri vjetësh një dënim me vendim të prerë për vepër penale nuk mund të kandidojë.

Arsenijeviç, një ish profesor kimie në Veri, të cilit nuk iu vazhdua kontrata, për siç thotë ai, shkaqe politike, ka kritika të mëdha për Listën Serbe.

Ai thotë se ata mashtrojnë serbët në Veri dhe nuk punojnë për qytetarët, por për xhepin e tyre.

“Ata duan të dëgjojnë heshtjen tonë dhe jo zërin tonë”, kishte thënë me një rast Arsenijeviç.

Ai ka kritikuar edhe Petar Petkoviçin, i cili është udhëheqës i delegacionit serb në dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel.

“Ai s’është nga kjo anë dhe s’i kupton problemet tona”, thotë Arsenijeviç.

I riu serb është shfaqur i zëshëm sidomos kohëve të fundit, pas arritjes së Marrëveshjes për Energjinë në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Thotë se ajo u konvenon vetëm biznesmenëve të Listës Serbe dhe vetëm ata do të përfitojnë, derisa qytetarët do të dëmtohen nga faturat e shtrenjta të rrymës.

Ai, këtë të diel, përmes llogarisë së tij në Twitter, ka ftuar në takim përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili të hënën vjen në Kosovë dhe ka paralajmëruar vizitë edhe në Veri.

“I dashur zotëri Miroslav Lajçak, kur të vish në veri të Kosovës, është në interesin tonë të përbashkët të takohemi. Do ju shpjegojmë, si një iniciativë qytetare ‘Mbijetesa Serbe’, dhe do t’ju njoftojmë me problemet që qytetarët tanë ballafaqohen në lidhje me marrëveshjen e fundit”, shkruan ai.

Bashkë me partnerët e tij në Lëvizje ai ka organizuar edhe një protestë kundër marrëveshjes, por të pranishëm ishin vetëm ata që thirren protestën.

Aleksandër Arsenijeviç duke u folur qytetareve ne Veri kunder Marreveshjes per Energji ne Bruksel

Sipas Arsenijeviç, njerëzit frikësohen të dalin në protestë për shkak të represionit në të cilin i mban Lista Serbe, porse shumica mendojnë si ai.

“Kjo nuk është një protestë – siç janë përpjekur të paraqesin shumë – kundër pagesës së energjisë elektrike. Kjo është një protestë kundër prapaskenave, kundër marrëveshjeve të fshehta, kundër mostransparencës… Kjo është një protestë kundër gjithçkaje që është rënë dakord në emër të popullit, por pa pëlqimin dhe lejen e tij. Kjo është një protestë kundër çdo gjëje jonormale në shoqërinë tonë jodemokratike”.

“Ata duan të dëgjojnë heshtjen dhe të mos na dëgjohet zëri. Arsyeja për këtë është interesi personal dhe pasurimi. Shumica prej jush, jam i sigurt, mendojnë kështu. Të gjithë ju që jeni të pranishëm, jeni heronj dhe koha do të tregojë se është kështu”, kanë qenë disa nga fjalimet e Arsenijeviç në protestën e fundit para mediave.

Një pjesë tjetër e fjalimit të Arsenijeviç para mediave ishte me fraza të bukura populiste.

“Ne do të durojmë gjithçka për mbijetesën tonë, por nuk do ta shesim shpirtin, edhe pse ata privatizuan gjithçka”, tha Arsenijeviç.

Cila është mbështetja e Arsenijeviç në komunitetin e serbëve në Kosovë ende nuk dihet, pasi ai nuk është matur asnjëherë në zgjedhje.

Një takim me Lajçak do ta faktorizonte shumë, derisa është i pranishëm vazhdimisht në mediat opozitare në Serbi, siç është e përditshmja Danas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore