Lajme

Kush do ta sfidojë Vuçiçin më 3 prill në zgjedhjet presidenciale në Serbi?


Ilustrim

Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi do të mbahen më 3 prill të vitit 2022, ku do të zgjedhet Presidenti dhe Kuvendi Kombëtar i Republikës së Serbisë.

Përveç zgjedhjeve të përgjithshme, zgjedhje do të ketë edhe në Asamblenë e Beogradit.

Që nga ardhja në pushtet e Aleksandër Vuçiçit në vitin 2012, Serbia sipas raporteve ndërkombëtare, ka bërë mbrapsht prej një sistemi politik demokratik, në autoritarizëm – me theks të veçanët në rënien e lirive të medias dhe lirive qytetare.

Këto rënie përbëjnë edhe boshtin e kritikës opozitare ndaj pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), që udhëhiqet nga Aleksandër Vuçiç.

Ndonëse, ende nuk janë zyrtarizuar emrat e kandidatëve për President të Serbisë, disa janë prej më të përfolurve të cilët priten të sfidojnë Vuçiçin në Zgjedhjet Presidenciale.

Opozita e Bashkuar në Serbi ka propozuar si kandidat të përbashkët presidencial, ish-ushtarakun serb, Zdrvko Ponosh.

Ponosh kishte shërbyer si ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe deri në vitin 2008 nga ku ishte shkarkuar prej ish-Presidentit të Serbisë në atë kohë, Boris Tadiç.

Ai në atë kohë kishte përplasje publikisht me ish-ministrin e mbrojtjes, të cilit nuk ia kishte dorëzuar as një raport vjetor, duke e pasur shef politik.

Ai një kohë kishte shërbyer edhe si shef i kabinetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, që drejtohej nga ish-kryediplomati serb Vuk Jeremiç.

Gjithashtu gazetari serb Srdjan Skorko ka lajmëruar se do të futet në garën presidenciale në Serbi. Ai beson plotësisht se mund ta rrëzojë Aleksandër Vuçiçin.

Lideri i Lëvizjes së djathtë ekstreme dhe nacionaliste “Dveri”, Boshko Obradoviç, po ashtu ka paralajmëruar kandidaturën e tij për të parin e vendit.

Profesori në Universitetin e Beogradit, Zoran Tomiç ka bërë thirrje opozitës që për President të Serbisë të nominohet, Vojisllav Koshtunica, ngase sipas tij, ai “do të kontribuojë në ndalimin e rënies së shtetit dhe shoqërisë sonë”.

Millosh Jovanoviç, gjithashtu një nacionalist serb i stërtheksuar ka lajmëruar kandidaturën e tij, i cili vjen nga një koalicion i gjerë i së djathtës ekstreme serbe.

Radikali serb Vojisllav Sheshel ditë më parë tha se “kësaj here nuk do të kandidoj”, por se Partia Radikale Serbe do të vendosin për kandidaturën e mundshme në fund të janarit.

Nga të gjithë kandidatët e propozuar dhe të përfolur, vetëm Zdravko Ponosh, ka tërhequr vëmendjen si kandidaturë serioze, e cila do të mund të sfidonte Aleksandër Vuçiçin, ndonëse edhe në atë aspekt ka mosbesim të madh.

Aleksandër Vuçiç, ende nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për President të Serbisë, dhe ka thënë se atë do ta lajmërojë në mes të shkurtit në moment të shpalljes së zgjedhjeve më 15 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore