Lajme

Kusari: S’ka kthim pas të organizimit tradicional të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë


Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se më nuk do të mund të zhvillohen zgjedhje të Serbisë në Kosovë.

Ajo këtë deklarim e ka bë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Qytetarët serbë të Kosovës, për zgjedhjet presidenciale në Serbi, mund të votojnë me postë apo përmes zyrës ndërlidhëse në Prishtinë, ka deklaruar ajo.

“Sa i përket zgjedhjeve presidenciale serbe më 3 prill, mendoj që ajo çfarë ndodhi me rezolutën e miratuar në Kuvend është një praktikë dhe një standard i cili duhet të vazhdojë të aplikohet”.

“Kosova funksionimin e saj si shtet normal, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por edhe në botë, duhet ta aplikojë duke iu garantuar qytetarëve me dy shtetësi procesin e votimit qoftë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse, por kthim mbrapa në organizimin tradicional të procesit zgjedhor të Serbisë në Kosovë nuk ka”, ka thënë Kusari.

E para e Grupit Parlamentar të LVV-së, ka thënë gjithashtu se komuniteti serb duhet ta kuptojë se iluzioni që Kosova është pjesë e Serbisë, ka mbaruar prej kohësh dhe se duhet të aplikohen standarde të njëjta si me qytetarët e Kosovës që kanë dy shtetësi.

Kosova me Rezolutë kundër Referendumit serb

Këtë Referendum e ndaloi Kuvendi e Kosovës me anë të një Rezolute, ku njëzëri me opozitën u rreshtuan kundër mbajtjes së saj.

Një referendum të tillë aktorët kryesorë politikë të Kosovës e konsideruan antikushtetues dhe shkelje të sovranitetit të vendit.

Megjithatë, ishin ambasadorët e QUINT-it që kërkuan të lejohet votimi i serbëve të Kosovës në referendumin e 16 janarit dhe votat të mblidhen nga OSBE-ja, por që Kosova nuk kishte pranuar një gjë të tillë.

As Misioni për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nuk ndërmori hapa të mëtutjeshëm për të shpërndarë materialet zgjedhore të Referendumit, pasi që sipas tyre, për ta bërë një gjë të tillë “të gjitha palët duhet të kenë konsensus”.

Dy kamionë me materiale zgjedhore nga Serbia u ndaluan në pikën kufitare në Merdare mbrëmjen e së premtes, dhe u konfiskua dokumentacioni ilegal që synonte të futej në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore