Lajme

Kusari-Lila për Abazin: Ai s’meriton vëmendje, e parëndesishme çka tha sot


Mimoza Kusari - Lila, Kryetare e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes

“Asnjë koment, absolutisht”, ishte përgjigja e parë e Kryetares së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, në një prononcim të shkurtër për Albanian Post, pas komenteve të deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, në një konferencë për media këtë të enjte paradite, duke e quajtur “çadra e Gadafit” dhe “mbytëse e zërit të demokracisë në grupin parlamentar të Vetëvendosjes”.

“Në fakt nuk e meriton as vëmendjen as përgjigjet në deklarime të tilla”, ka vazhduar më tej Kusari-Lila duke shtuar se “mendoj që janë tërësisht të pakuptimta dhe të panevojshme të shqyrtohen më tutje”.

Sipas Abazit, Kusari-Lila bashkë edhe me nënkryetaren Saranda Bogujevci e Dijona Mihaili, e cila ushtron pozitën Koordinatore e Komiteteve në Vetëvendosje, e caktojnë se kush dhe çka duhet të flas në parlament.

Abazi ka thënë se ekzistojnë edhe prova që dëshmojnë deklarimet e tij.

“Janë audio-incizimet ndërmjet Bogujevcit, Kusari-Lilës dhe Mihailit ku bisedojnë për ngufatjen e deputetëve brenda Kuvendit”, ka thënë ai. Edhe këto akuza Mimoza Kusari – Lila i hodhi poshtë, duke i quajtur krejt të parëndësishme.

“Tërësisht e parëndësishme, krejt çka ka thënë. Me rëndësi është vota e deputetëve. Krejt çka ka ndodhë sot është parë në seancë publike, kështu që mbetet në ndërgjegjen e tij për të gjitha ato që ka deklaruar, i ka ose nuk i ka dokumentuar”, tha ajo duke shtuar se “nuk kam, të them të drejtën as kohë e mundësi që të merrem me fjalë të tij”.

Por, pse u shkarkua Haki Abazi nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë?

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së thotë se Abazi kishte dallime përmbajtjesore me grupin.

“Në fakt ka qenë një procedurë në një periudhë kohore, në të cilën e ka tregu dallimet përmbajtjesore me grupin. Grupi i delegon të gjithë në Komisione Parlamentare dhe ndryshimet e kësaj natyre ndodhin, kështu që nuk është ndonjë gjë e madhe ose specifike. Çështjet tjera mbeten për t’u vlerësuar prej atyre nga të cilët kemi marrë mandat”, ka përfunduar Kusari Lila.

Me vendim të deputetëve, këtë të enjte, Haki Abazi u shkarkua nga dy pozita që kishte në dy Komisione Parlamentare.

Pozitën e tij si Kryetar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, do ta bëj Arbreshë Kryeziu-Hyseni. Ndërsa atë në Komisoinin për Stabilizim Asocim, deputeti Haki Abazi është zëvendësuar me deputetin Dimal Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore