Kosova

“Kusari-Lila ndërpreu seancën që të flas me Radojiçiç-in” – Shpend Ahmeti: Pse more?


Ish kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas prononcimit së Slavko Simiç-it nga Lista Serbe në lidhje me përgjimet e publikuara muajin e kaluar.

Simiç ka thyer heshtjen për të parën herë pas përgjimeve, derisa në një intervistë për T7, ka thënë se shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ishte protagoniste e përgjimeve, jo veç që ka biseduar me kriminelin Milan Radojiçiç, por ka marrë edhe pauza në parlament enkas për të folur me të.

“Dëshiroj t’ia rikujtoj bashkëbisedueses time se gjatë seancave të caktuara parlamentare caktoi një pauzë për të pasur rastin të bisedojë me Radojiçiç-in dhe të kërkojë prej tij mbështetjen e Listës Serbe, e cila ishte e nevojshme për funksionimin e saj në atë moment”, thotë Simiç.

Duke u ndërlidhur me rastin në fjalë, ish-numri një i komunës së Prishtinës ka reaguar përmes një cicërime në Twitter, duke i parashtruar Kusari-Lilës një pyetje.

“Disa herë me Radojcicin, ka kërkuar ndihmë për pozita e deri te kërkesa për pauzë për me folë për Radojiçiqin. Pse more?”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.

Ndërkaq, Kusari-Lila e ka paditur Simiç-in për incizim të paautorizuar, por ai mohon të jetë personi që e regjistroi deputeten e Vetëvendosjes.

Simiç deklaron se ka pasur disa raste kur Lista Serbe ia ka dhënë mbështetjen Vetëvendosjes për të kaluar ligje në Kuvendin e Kosovës.

“Ne e kemi dhënë mbështetjen tonë jo për asgjë dhe askënd, por vetëm sepse nuk bien ndesh me interesat tona kombëtare. Edhe ajo edhe unë e dimë mirë se sa herë ka folur me Milan Radojiçiç-in, sa kanë zgjatur ato biseda dhe se ka kërkuar nga ai dhe nga Lista Serbe që të mbështesin zgjedhjet e personelit për postet më të larta në Kosovë, zgjedhjet e personelit për agjenci të ndryshme, por edhe proceset legjislative që u penguan nga opozita”, shpjegon Simiç.

Madje, shton se “kjo nuk është e gjitha”.

“Me Radojiçiç-in ka pasur biseda të gjata edhe për shumë e shumë tema dhe procese të tjera aktuale jashtë Parlamentit dhe për çka e di më së miri”, thotë ai, duke shtuar se “ndoshta një ditë opinioni do të informohet për të gjitha detajet”.

Ai mohon të jetë personi që ka incizuar bisedat, për çka Kusari-Lila e ka akuzuar publikisht dhe më pas ngritur edhe padi për incizim të paautorizuar, që ndalohet me ligjet e Kosovës.

“Ndonëse kam qenë nën presionin e mediave për t’u shprehur që në fillim të publikimit të komunikimit të përmendur, aludimet e fundit se unë jam prapa regjistrimit dhe publikimit të bisedave tona, që absolutisht nuk janë të vërteta, më detyrojnë të mohoj gënjeshtrat me të cilat Mimoza Kusari-Lila dëshiron të largojë vëmendjen nga fakti se nga Lista Serbe dhe Milan Radojiçiç ka kërkuar mbështetje”.

Simiç thotë se Kusari-Lila e di edhe se “në emër të kujt dhe me urdhër të kujt”, i ka bërë ato biseda.

“Ndoshta pikërisht nga frika e regjistrimeve të reja arsyeja e kësaj gjuetie mediatike”, deklaron ai.

Përndryshe, ai i quan “shpifje, gënjeshtra dhe kallëzime të sajuara penale të zonjës Mimoza Kusari-Lilës”, deklarimet e deputetes, e cila tha se me Radojiçiç-in kishe biseduar vetëm njëherë dhe atë “2-3 minuta”.

Edhe pse, përgjimet e dala më pas e demantuan Kusari-Lilën, sepse ajo aty pranon edhe se kanë biseduar me Radojiçiç-in për energjinë elektrike në Veri, temë për të cilën u arrit edhe një marrëveshje në Bruksel, nga bisedimet mes negociatorëve – Besnik Bislimit të Kosovës e Petar Petkoviç-it të Serbisë.

Simiç insiston se Kusari-Lila dhe Vetëvendosje “nuk mund ta fshehin faktin se ajo ka folur disa herë në praninë time me nënkryetarin e Listës Serbe dhe i ka kërkuar favore dhe mbështetje për votat e shumta në Kuvend”.

Me 10 korrik mediumi Nacionale publikoi pjesën e parë të bisedës mes Mimoza Kuari-Lilës dhe Slavko Simiç, ku udhëheqësja e deputetëve të Vetëvendosjes në zyrën e saj flet me Simiç-in për tema të ndryshme, përfshirë edhe listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një nga videot e publikuara nga ky audioincizim, Simiç i thotë se po të publikoheshin bisedat mes asaj dhe Radojiçiç-it, vetë Kusari-Lilës por edhe kryeministrit Albin Kurti do t’i thyhej koka.

Kusari-Lila nuk flet gjë në këtë rast. Më vonë, ajo e pyet Simiç-in se përse Radojiçiç e bashke-partneri i tij në krim, Zvonko Veselinoviç janë futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Radojiçiç është person i kërkuar nga organet e Kosovës për vrasje dhe në një rast ka ikur nga Policia e Kosovës, ai është i shpallur edhe terrorist me vendim të Qeverisë së Kosovës.

 

Biseda me të dhe mos njoftimi i organeve të rendit për këtë komunikim mund ta implikojë ligjërisht Kusari-Lilën, por deri më tani nuk është bërë e ditur që Kusari-Lila të jetë ftuar për intervistim nga organet e rendit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore