Lajme

Kusari-Lila kërkon të zbardhen faktet për Klan Kosovën: Askush s’guxon ta cenojë lirinë e medias


Mimoza Kusari-Lila dhe Adnan Rrustemi.

Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë të përbashkët me deputetin Adnan Rrustemi, kanë kumtuar punën që është bërë gjatë sesionit pranveror nga partia në pushtet.

Kusari-Lila, në këtë konferencë është pyetur edhe për rastin e mediumit Klan Kosova, ajo ka vlerësuar se ky rast duhet të zbardhet e po ashtu të gjitha faktet sa i përket kësaj çështje.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, besoj që i prezanton gazetarët, por të njëjtit e kanë pasur mundësinë që të jenë prezent në Kuvendin e Kosovës ku në dy komisionet në komisionin për media dhe në komisionin për buxhet i ka trajtuar gati për pesë orë çështja e Klan Kosovës, ka pasur shumë pak prezencë mediatike”, ka deklaruar Kusari-Lila.

“Në situatën aktuale unë mendoj që është më e dobishme për të gjithë në Kosovë, edhe për gazetarët edhe për opinionin publik edhe për përfaqësuesit e partive politike qofshin ato parlamentare e jo-parlamentare zbardhja e të gjitha fakteve”.

Sipas saj, e dobishme aktualisht është që të jepen sqarime e që në një situatë tillë akoma nuk kanë marrë përgjigje nga pronari i Klan Kosovës.

“Është mirë që të flasim me fakte, në këto fakte ne akoma s’kemi përgjigje. As nuk e kemi dëgjuar deklaratën e pronarit të Klan Kosovës, se përse e ka bërë këtë lëvizje dhe përse në Republikën e Kosovës, regjistrohet një biznes me adresën Gjakovë-Serbi, por po i dëgjojmë vetëm reagimet për mbylljen e fjalës të lirë”.

“Ju të gjithë jeni këtu, ne me të gjithë kemi bashkëpunim pa marrë parasysh pajtimeve ose mospajtimeve, të flasim mbi atë çka realisht e kemi para nesh”.

Tutje nga gazetari Kusari-Lila, është pyetur se “a është në rregull që një ambasador shtetas i Kosovës, të marr miliona euro nga kompania GEN në Serbi”.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, u përgjigj duke thënë se kjo çështje, “akoma ka hapësirë për të diskutuar”.

“Sa i përket krahasimeve apo paraleleve që po i bëni ato sërish duhet të bazohen vetëm në fakte. Dhe a është GEN-i i Serbisë apo i Sllovenisë, unë mendoj që ka hapësirë për t’u diskutuar”.

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore