Lajme

Kurti: Zyrtari publik punon për publikun, e jo për t’u pasuruar për vete


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e parë të punës për hartimin e Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit, ku ka deklaruar se indeksi i Transparency International është “tregues i mirë”, i suksesit të Qeverisë në luftimin e korrupsionit.

Sipas tij, zyrtarët publik punojnë për qytetarët, e jo për t’u pasuruar vetë.

“Qytetarët tanë kanë besuar këtë, gjë të cilën kanë dëshmuar me votimin masiv për ndryshime në zgjedhjet e  fundit parlamentare. Këtë besim po e shndërrojmë në rezultate të cilat po tregojnë që zyrtari publik punon për publikun e jo për t’u pasuruar për vete apo për dikë tjetër privatisht, ndërkaq meritokracia, e drejta dhe rregullat e qarta e transparente bëhen parime bazë të punës së një administrate serioze, profesionale e llogaridhënëse”.

“Rritja për 20 vende më lart në raport me praktikat e kaluara, dëshmon vullnet të një Qeverie të përgjegjshme për jetesë më të mirë për qytetarët. Mungesa e korrupsionit në Qeveri, përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik”.

Ka theksuar edhe se nuk do të kenë tolerancë ndaj korrupsionit, ndaj ryshfetit e kontratave në këmbim të parave.

“Mungesa e korrupsionit në Qeveri, përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët tanë kanë besuar këtë, gjë të cilën kanë dëshmuar me votimin masiv për ndryshime në zgjedhjet e  fundit parlamentare”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa, ka thënë se gjatë qeverisjes dy vjeçare kanë treguar rezultate të prekshme në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës.

“Gjatë qeverisjes dy vjeçare kemi treguar rezultate të prekshme në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, që ka rezultuar me arrestimin e mbi 3200 personave, prej të cilëve mbi 300 janë zyrtarë publikë, e me 38 të arrestuar vetëm në rastin e keqpërdorimeve me subvencione”.

Kurti ka përmendur edhe Vetting-un dhe përmirësimet që pritet të bëjë ky proces.

“Reformën po e vazhdojmë me vetting të pozitave të larta në sistemin gjyqësor e prokurorial, dhe luftim të pasurisë së pajustifikueshme me Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë.

“Vonimi i rezultateve që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtar mund të numëroheshin edhe sot, bie nën përgjegjësinë e partive opozitare që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresim të  Kushtetuesja. Por, qytetarët ne na ka besuar me votë të ndryshimit andaj, ne këtë ndryshim edhe do ta sjellim”.

Për deklarimin e pasurisë, kryeministri sqaroi se gjithë zyrtarët publikë do të jenë të obliguar që të deklarojnë në kohë të saktë dhe të duhur.

“Është detyrë e jona që përmes reformës institucionale e propozimeve për plotësim apo ndryshim të kornizës ligjore, të ruajmë pasurinë natyrore, buxhetin shtetëror, të sigurojmë transparencë në punën e institucioneve duke fuqizuar edhe deklarimin e pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë e duke krijuar infrastrukturë ligjore për zbulimin e përfituesve të fundit”.

Më 3 nëntor të 2021, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar se koncept-dokumenti për Vettingun është dërguar në komisionin e Venecias.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore