Lajme

Haxhiu: Koncept-dokumenti për Vettingun është dërguar në Venecia


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se koncept-dokumenti për Vettingun është dërguar në komisionin e Venecias.

“Koncept-dokumentin e kemi dërguar edhe në Komision e Venecias. Kemi marrë përgjigje pozitive që i njëjti koncept-dokument me opsionet që i kemi ndjekur do të trajtohet dhe do të na vijnë përgjigje nga Komisioni i Venecias”, deklaroi Haxhiu.

Në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut që është mbajtur të mërkurën, Haxhiu theksoi se do të mundësohet që të ketë më shumë llogaridhënie në drejtësi.

“Ky proces do të mundësojë që brenda sistemimit të drejtësisë të kemi gjyqtarë e prokurorë që kanë integritet të lartë moral dhe profesionalë. Po zhvillohet në konsultim me ekspertët nga partnerët strategjikë si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe BE”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo bëri të ditur se i ka dërguar ftesë të gjitha grupeve parlamentare me qëllim të arritjes së konsensusit për reformën në drejtësi.

“Pres që nga java e ardhshme të takohem me secilin grup në Kuvendin e Kosovës, sepse kjo ka shumë rëndësi për në”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.

Në këtë takim, nuk kanë marr pjesë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Këto dy trupa, më herët kanë shprehur shqetësimin me gjuhën, sipas tyre fyese të Qeverisë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e 13 tetorit ka miratuar koncept dokumentin për vetting-un në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore