Lajme

Kurti uron Pavarësinë e SHBA-së: Deklarata e saj përmban themelin e aleancës së kombeve tona


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka uruar 247 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Kurti përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, e ka vlerësuar Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së si njërin nga vizionet më të fuqishëm të lirisë dhe barazisë.

”Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së, përmban një nga vizionet më të fuqishme të lirisë dhe barazisë të njohura në botë. Ai vizion dhe vlerat e përbashkëta që ai shpreh përbëjnë themelin e aleancës së kombeve tona. Ashtu si ai vizion është i përjetshëm, po ashtu është edhe aleanca”.

“Gëzuar 4 Korrikun!”, ka shkruar kryeministri.

Edhe presidentja Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar presidentin, Joe Biden dhe miqtë e aleatët amerikanë të Kosovës.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Osmani u shpreh se Kosova bashkohet me SHBA-në për të festuar idealet dhe vlerat.

Më 4 korrik të këtij viti është shënuar 247 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore