Lajme

Kurti takon Mesiç: Përvoja dhe trashëgimia juaj është shumë e vlefshme


Stjepan Mesiç dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim, ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës rreth orës 14:20.

Gjatë takimit, sa kamerat kanë pasur të drejtë të marrin pamje, Kurti iu është drejtuar Mesiç duke i thënë se përvoja dhe trashëgimia i tij është shumë e vlefshme aktualisht.

E më pastaj takimi ka vazhduar me dyer të mbyllura.

Mesiç, i cili është në një vizitë në Kosovë, para se të takojë të parin e ekzekutivit, ishte në vizitë te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Për Konjufcën, Mesiç, është mik i sinqertë i Kosovës.

“Falënderova ish-presidentin kroat për kontributin e tij të pazëvendësueshme në shtetndërtimin e vendit tonë. Jeni gjithmonë të mirëseardhur dhe Kosovën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj”, ka thënë Konjufca.

Sipas kryetarit Konjufca, Kroacia ishte dhe do të jetë edhe më tutje mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

“Dy vendet tona, si partnerë strategjikë, kanë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi në shumë fusha me interes të përbashkët, përfshirë edhe atë të legjislativit”, ka shtuar ai.

Stjepan Mesiç dhe Glauk Konjufca

Ndryshe ai me ftesë të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së së Kosovës në atë kohë, Behgjet Pacolli, kishte vizituar Kosovën në vitin 2011.

Ndërsa në vitin 2010, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu e pati dekoruar ish presidentin kroat Stjepan Mesiç me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”.

Mesiç, është një avokat dhe politikan kroat i cili shërbeu si President i Kroacisë nga viti 2000 deri më 2010.

Para se të shërbejë dy mandate pesë vjeçare si president, ai ishte kryeministër i Kroacisë nga muaji maj deri në gusht të 1990, pas zgjedhjeve të para shumë partiake president i fundit i presidencës së Jugosllavisë në vitin 1991 si dhe kryetar i parlamentit kroat nga viti 1992 deri në vitin 1994.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore